EULEX-i ka nisur hetimet për Mejën, por s’ka të akuzuar

EULEX-i ka nisur hetimet për Mejën, por s’ka të akuzuar

EULEX-i ka nisur hetimet për Mejën, por s’ka të akuzuarEULEX-i ka filluar zyrtarisht hetimet për rreth 20 të dyshuar lidhur me masakrën e Mejës, të kryer nga forcat serbe, në pranverë të vitit 1999. Zëdhënësja e këtij misioni, Bardha Azari tha për Radio Kosovën se procesi vetëm sa ka hyrë në fazën e hetimeve zyrtare, por akoma nuk ka asnjë aktakuzë për këtë rast, ashtu siç ishte raportuar në disa media.

Nuk ka ende aktakuzë për rastin e masakrës së Mejës. 14 vjet pas përfundimit të luftës, hetimet për këtë rast tanimë kanë filluar zyrtarisht. Mediat serbe raportuan sot se EULEX-i ka ngritur aktakuzë ndaj 17 personave të dyshuar, por zëdhënësja e këtij misioni Bardha Azari tha për Radio Kosovën se bëhet fjalë për ngritjen zyrtare të hetimeve.

“Po, në rastin e Mejës bëhet fjalë për fillimin e hetimeve zyrtare dhe jo për aktakuzë. Nuk janë të akuzuar, janë vetëm të dyshuar sepse në momentin që hetimet fillojnë zyrtarisht nuk ka të akuzuar por vetëm të dyshuar. Bëhet fjalë për rreth 20 persona që janë identifikuar si të dyshuar të mundshëm në këtë rast. Nuk ka aktakuzë”, tha Azari.

Sipas ligjeve në fuqi, hetimet mund të zgjasin deri në dy vjet dhe më pas të ngrihet aktakuza ose të mbyllen fare, pa dhënë ndonjë rezultat.

EULEX-i akuzon 17 serbë për masakrën e Mejës
Prishtinë, 26 prill – 08:28 – Hetuesit e EULEX-it kanë ngritur akuza kundër 17 serbëve të Gjakovës për përfshirje të dyshuar të tyre në krime kundër luftës ndaj shqiptarëve në fshatin Mejë dhe rrethinë

Gjokica Stanojeviq, që është bashkërendues i Komunës së Gjakovës në Serbi, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta, se këto akuza kanë për qëllim frikësimin e serbëve dhe kthimin e tyre në Gjakovë.

Dy ditë më parë, misioni evropian njoftoi publikisht se ka nisur hetimet zyrtare për krimet e luftës të kryera në komunën e Gjakovës, dhe se prokurorët e vet po hetojnë krimet e kryera më 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat Mejë, Orizë, dhe fshatrat tjera të Luginës së Rekës së Keqe.

Siç njoftoi EULEX-i deri më tani, hetuesit kanë identifikuar përafërsisht 20 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për Krime të Luftës kundër popullatës civile.

Mirëpo sipas Stanojeviqit, akuzat po ngritën në kohën kur çështja e të shpërngulurve pritet të ngritet në dialogun teknik në Bruksel.

Në këto akuza përfshihet edhe vrasja e 372 viktimave gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare, e cila i qe nënshtruar torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, konfiskimit të pasurisë dhe plaçkitjes, veprime këto jo të arsyetuara me nevojat ushtarake.

Shumica e viktimave ishin zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë, Serbi. Masakra e Mejës dhe e rrethinës besohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë./koha/