EULEX1

EULEX e donte Limajn në burg

“Nuk dua të di se a ka fakte apo nuk ka, unë thjesht e dua Limajn në burg”, kështu i është drejtuar prokurorja e EULEX-it, Isabelle Arner, hetuesve të rastit të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit.

Këtë gjë e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Zëri”, ish-oficeri i Policisë në Departamentin Ekzekutiv për krim të organizuar, krime lufte dhe terrorizëm në kuadër të EULEX-it, Troy Wilkinson, i cili është marrë ekskluzivisht me rastin Limaj.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë fakt të vetëm në lidhje me këtë rast. Wilkinson, i cili ka hetuar kompjuterët, serverët, disqet…, thotë se asnjë e dhënë e vetme nuk është fshirë në serverët e MTPT-së, ashtu siç është thënë atëbotë nëpër medie.

Ai ka thënë se misioni i BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, përzgjedhjen e rasteve për hetime e ka bërë në mënyrë selektive. Sipas tij, rasti Limaj është një prej shumë rasteve hetuese që EULEX ka bërë duke i përzgjedhur ato.

Amerikani i cili për gati dy vjet ka punuar edhe në UNMIK dhe po aq vjet edhe në EULEX, ka thënë se ndërhyrja e politikës në përzgjedhjen e rasteve është evidente, e sidomos e politikës ndërkombëtare.