Etrit Berisha, portieri i së ardhmes

Etrit Berisha, portieri i së ardhmes

 Etrit Berisha, portieri i së ardhmes E përditshmja romane “Il Messaggero” i kushton një hapësirë të madhe portierit shqiptar të Lazios, Etrit Berisha, i cili ka arritur që brenda pak kohësh të gozhdojë në stol portierin e dytë të kombëtares italiane, Federicco Marchetti.

Në një analizë me autor Gabriele De Bari, vihet theksi në aftësitë e pabesueshme që ka gardiani shqiptar, i cili është kthyer në një titullar të padiskutueshëm për skemat e trajnerit Edi Reja.

Shkrimi nis me dy pritjet e Berishës në Catania pas goditjeve të Bergessio e Lodi edhe pse kaq nuk mjaftoi që skuadra kryeqytetase të regjistronte një tjetër rezultat pozitiv.

“Sulmi më anemik i kampionatit u tregua i papërmbajtshëm ndaj Lazios edhe pse Berisha u tregua në lartësinë e duhur.

I riu shqiptar i lindur në vitin 1989 siguroi ndeshjen e nëntë si titullar duke konfirmuar se është një element i besueshëm. Kur humbet 3-1 dhe më i miri në fushë është portieri lindin disa pyetje.

Berisha mbërriti në Romë mes skepticizmit, Berisha tregoi se vlen dhe hoqi çdo dyshim. Duhet të punojë ende në lojën me këmbë për të fituar më shumë siguri por mes shtyllave është një ndër portierët më të fortë të kampionatit. Pas debutimit si titullar në Olimpico kundër Interit për shkak të një problem muskular të Marchettit të gjithë prisnin rikthimin e numrit 1 por falë një serie të pabesueshme pritjesh Berisha mbeti zgjedhja kryesore.

Marchetti është rikuperuar plotësisht por tashmë po ngroh pankinën duke e shtyrë rikthimin në fushë përpara çdo ndeshjeje”, shkruan analisti i gazetës italiane që në fund e përqëndron vëmendjen te e ardhmja e portës bardhekaltër.

“Duke parë rendimentin duhet pranuar se Berisha është blerja më e mirë e merkatos së Lazios. Një futbollist që sot ka një vlerë disafish më të madhe dhe mund të marrë trashëgiminë e portës së Lazios për vitet e ardhshme.

Po Marchetti? Tashmë është një ish titullar që po ngroh stolin dhe me shumë mundësi do të largohet në fund të sezonit”, e mbyll analizën e tij gazetari Gabriele De Bari, duke kurorëzuar portierin kuqezi për atë që ai po tregon gjatë muajve të fundit.