Eros Ramazoti ne Kosove

Eros Ramazzotti më 30 korrik në Prishtinë


Eros Ramazoti ne KosoveNë agjendën e turneut veror të këngëtarit me nam Eros Ramazzotti, për herë të parë është edhe shteti më i ri në botë. Këngëtari italian ka rezervuar datën 30 korrik për koncertin e tij në Kosovë, nikoqir i të cilit do të jetë Stadiumi i Prishtinës. Ramazzotti do të “zbarkojë” në kryeqytet vetëm tri ditë pas koncertit në Palermo, për të “fluturuar më pas” drejt Cagliarit.

Data e koncertit në Prishtinë tashmë është publikuar edhe në ueb – faqen e zyrtare të këngëtarit.
Eros Lucioano Walter Ramazzotti, i njohur shkurt si Eros Ramazzotti, do të jetë në “dispozicion” të adhuruesve të tij shqiptarë për fiks dy orë e gjysmë. Këngëtari 46- vjeçar do të ngjitet në skenë për të kënduar live megahitet e tij si, “Parla con mei”, “I belong to you”, “Terra promesa”, “Piú bella cosa” “Fuoco nel fuoco”, “Se bastasse una canzone”, “Solo un volo”.

Produksioni “Live Nation” i cili njihet për organizimin e koncerteve të këngëtarëve të famshëm, do të sjellë 48 kamionë me të gjitha pajisjet. Rreth 400 anëtarë të “Live Nation” do të përkujdesen për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me koncertin.

Koncerti në Kosovë i Eros Ramazzottit, i cili është organizuar nga kompania e biznesit UBBOSS, është pjesë e turneut që këngëtari ka nisur vitin e kaluar. “Pikën” e fundit, turneut veror Ramazzotti do t’i vërë në mes të muajit gusht. Armenda Filipaj, menaxhere në kompaninë UBBOSS, ka zbuluar për “Kohën Ditore” detaje rreth koncertit të Ramazzottit.

“Është pjesë e turneut që Ramazzotti ka filluar në vitin 2009 dhe do të përfundojë në gusht të këtij viti”, ka thënë Filipaj, teksa ka shtuar se u janë dashur tri javë negociata për të caktuar datën e koncertit. Filipaj po ashtu ka shpjeguar se 35 mijë bileta do të dalin në shitje, duke nisur nga data 9 e këtij muaji. “Ato do të shpërndahen në pika të shitjes që do t’i përcaktojmë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, ka shpjeguar Filipaj.
Sipas Filipajt, çmimi i biletës për koncertin e Ramazzottit nuk do të jetë i lartë. “Për shkak të vullnetit të mirë të organizatorit, çmimi i biletës do t’i përshtatet standardit kosovar dhe do të jetë mjaft i arsyeshëm”, ka thënë Filipaj. “Nuk do të kalojë shifrën prej 15 eurove”, ka shtuar ajo.

Këngëtari italian do të ngjitet në skenën e Stadiumit të Prishtinës duke iu “bindur” një dëshire të vetme të organizatorit – gjatë performancës të mbajë në kokë një plis, si simbol identifikues të shqiptarëve.
“Ai na ka pyetur se cila është dëshira jonë si organizator, dhe ajo ka qenë që Ramazzotti të mbajë plis kur të dalë në skenë”, ka thënë Filipaj, duke shtuar se nuk kanë një përgjigje të prerë për këtë. Megjithëse ka mbetur më pak se një muaj deri te “koncerti i madh”, Filipaj është shprehur mjaft optimiste lidhur me interesimin që do të zgjojë te adhuruesit e këngëtarit italian.

“Presim që do të ketë interesim të madh, duke qenë se është një rast shumë i mirë për adhuruesit e Ramazzottit që ndodhen në rrethinë për ta parë për të qenë pjesë e një koncerti të tij”, ka thënë ajo.
Optimizmit të saj Filipaj ia ka shtuar edhe faktin se “Live Nation” për herë të parë organizon koncert në Kosovë. “Besoj se interesimi do të jetë në maksimum, sepse është hera e parë që në Kosovë vjen një produksion që mban koncertet e artistëve më të mëdhenj dhe është shumë e rëndësishme që më në fund edhe Kosova po futet në hartat e tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Filipajt, performancës së Eros Ramazzottit do t’i prijnë këngëtarë kosovarë. “Ende nuk e kemi bërë përzgjedhjen se kush do të performojë, por do të jemi shumë të kujdesshëm në përzgjedhje”, ka thënë ajo.
Detaje të tjera rreth koncertit të Eros Ramazzottit organizatorët do të shpalosin në një konferencë për media e cila do të mbahet të mërkurën. Sponsorë medialë të koncertit janë “Koha Ditore”, Kohavision dhe Radio Blue Sky.

Eros Ramazzotti është kantautor italian i cili gjatë karrierës së tij 25-vjeçare ka realizuar 14 albume. Albumet e Ramazzottit janë shitur në mbi 50 milionë kopje. Ramazzotti është i njohur për bashkëpunimet e tij me këngëtarë si Tina Turner, Anastacia, Luciano Pavarotti, Laura Pausini, Ricky Martin etj.