Eroll Salihu: Adnan Januzajn e presim deri në fund të javës

Eroll Salihu: Adnan Januzajn e presim deri në fund të javës

Eroll Salihu: Adnan Januzajn e presim deri në fund të javësSekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, ka kërkuar që talenti shqiptar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj të luajë ndeshjen e parë ndërkombëtare të Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës me 5 mars në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’, do të luajë miqësoren e parë ndërkombëtare nën ombrellën e FIFA-së. Salihu në një bisede për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’, ka thënë se Januzaj e ka për obligim që t’i tregojë popullit të tij se do të jetë në miqësoren e parë, ndeshje kjo që do të hap një etape të re për futbollin e Kosovës.

“Ftesa për të (Januzaj) është simbolike, por ne besojmë se ai e ka për obligim që t’i tregojë popullit të tij se ai do të jetë pranë tyre në një moment historik”, ka thënë Salihu. “Na duhet përgjigja e tij deri në fund të kësaj jave, ndërsa paraqitja e Januzajt do të tregojë se ai nuk e ka harruar popullin e tij, madje ai mund të luajë për vetëm 10-15 minuta”, ka theksuar Salihu.

Ai ka bërë të ditur se FFK ka folur me xhaxhanë dhe babanë e Januzajt dhe kanë qartësuar se i riu do të jetë sërish i lirë që të zgjedhë se për cilin vend do të luajë në të ardhmen. “Është ndeshje miqësore dhe nuk do të jetë pengesë. Ai do të ketë mundësi që të luajë për këdo që ai e zgjedh”, ka pohuar Salihu.