gjoksaj

Eksploziv në mbushjet e gjoksit, kërcënimi i ri i al-Kaedës

gjoksajDrejtues të shërbimeve sekrete dhe agjentë të sigurisë dhanë të premten alarmin mbi taktikën e re të sofistikuar që terroristët mund të përdorin për të goditur aviacionin civil, vendosjen e dinamitit në mbushjet artificiale që përdoren për zmadhimin e gjoksit. 

Ekspertë, të cituar nga “Daily Mail”, vunë në dukje se nga burime “të besueshme” është mësuar që taktikat e reja të al-Kaedës mund të përfshijnë vendosjen e eksplozivit brenda trupit të militanteve të tyre.

Kjo taktikë, nëse do të realizohej, do të vështirësonte se tepërmi zbulimin e eksplozivëve nga kontrollet rutinë, ndërsa do të bënte edhe më të rrezikshëm vetë individët që vendosin të sakrifikohen, pasi në asnjë rast ata nuk mund të ndërrojnë mendje, të kapen në kohë apo të merren në pyetje, duke qenë se telekomanda e aktivizimit të shpërthimit është në dorën e dikujt tjetër, transmeton TCH.

Njëkohësisht, ekspertët shpjeguan se ndonëse gjoksi i një femre nuk mund të mbajë sasi të mëdha eksplozivi, disa substanca, injektuar në trup, mund të jenë në gjendje të prodhojnë një shpërthim të mjaftueshëm për të krijuar një të çarë në trupin e një avioni ose në rastin më të keq, aq të fuqishëm sa të jetë në gjendje të ndajë trupin e avionit në dy pjesë gjatë fluturimit.