dosja-pandora-17

Ekskluzive: Dosja Pandora, MUP-i serb në Kosovë pa maska

Prishtinë – Portali LajmeShqip.com, e ka publikuar sot dosjen “Pandora” e cila, sipas Portalit, paraqitet në detaje skema e funksionimit të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme në territorin e Kosovës, pas qershorit 1999. Edhe pse, siç paraqitet në dokument, shkruan Portali, ky funksionim, nga UNMIK-u qysh atëherë është konsideruar ilegal dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244, megjithatë ish-administrata ndërkombëtare nuk ka ndërmarrë asgjë ndaj këtyre strukturave.

Dosja “Pandora”

Në 24 faqe të plota, dosja e siguruar nga portali ka të evidentuara dhe të ilustruara deri në detaje gjithë hierarkinë e funksionimit të strukturave ilegale dhe kriminele të Serbisë në Kosovë.

Dosja evidenton persona që kanë urdhëruar vrasjen e shqiptarëve, ashtu siç janë evidentuar urdhërues dhe komando të tjerë për eliminimin e kundërshtarëve por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre serbë. Identifikimi i plotë i atyre që kanë kryer krime të ndryshme menjëherë pas luftës në Kosovë, përfshirë vrasje dhe torturim të shqiptarëve dhe familjeve shqiptare involvon drejtpërdrejt edhe figura të njohura të politikës së sotme serbe në Serbi dhe Kosovë.

Dosja “Pandora”, që mban datën 14 mars të vitit 2006 dhe që nuk është e klasifikuar për përdorim të brendshëm, konfirmon të dhënat e dokumenteve konfidenciale të NATO-s, që portali LajmeShqip.com vazhdon t’i publikojë tash dy javë.

Skema e funksionimit të policisë serbe (MUP) në Kosovë përbëhet dhe udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilëve dokumentet konfidenciale të NATO-s iu referohen si kriminelë, kapo të bandave dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999.

Hierarkia dhe strukturat funksionale të MUP-it në Kosovë

Konform rrethanave të reja, pas qershorit të vitit 1999, Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka organizuar edhe mënyrën e funksionimit në Kosovës. Ndonëse ilegalisht, ata kanë ndërtuar një strukturë brenda Kosovës dhe kanë funksionuar, kanë kryer vepra të ndryshme, duke marrë urdhra nga Beogradi dhe duke raportuar, po në Beograd.

Faqja 8 e dosjes ‘Pandora” paraqet skemën komplete organizative dhe funksionale të Departamentit të Policisë të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) të Serbisë.

I vendosur në Mitrovicë, si distrikt, me shef Momir Kasaloviqin, dhe e evidentuar si qendër koordinuese  me Dr. Med. Srbo Mlenkoviqin, koordinator, horizontalisht, sipas skemës, mer urdhëra nga udhëheqësi i SUP-it kolonel Dragoljub Delibashiqi – “Dragani”, i cili mban kontakte të rregullta me Qendrën Komanduese të rialokuar në Kralevë. (Dosjen konfidenciale të NATO-s për Delibashiqin mund ta lexoni këtu.)

Komunikimi i drejtpërdrejtë i Delibashiqit paraqitet me asistentin Dragoljub Radeviqit, i cili vertikalisht komunikon me udhëheqësin e Deprtamentit të Komunikimit, Xhymret Hasani (emri në dosje Dzumret), përmes së cilit supozohet se ka komunikuar tërë vija tjetër e krimit.

Departamenti i Policisë, i udhëhequr nga Milorad Radeviq “Mishko”, paraqitet me zëvendësen e tij Natasha Gnjatoviq, e cila është përgjegjëse për kontakte me Stacionin Policor në Mitrovicë, që udhëhiqet nga Ljubisha Kragoviq, Stacionin Policor në Zubin Potok, që udhëhiqet nga Zhvojin Gjuriq dhe me Stacionin Policor në Leposaviq, që udhëhiqet nga Zhivan Nestoroviq, ky i fundit përgjegjës për nënstacionin e vendosur në Soqanicë dhe në Leshak.

Ndërsa, Stacioni Policor në Mitrovicë, përmes asistentit Ljubisha Sekularac, është në kontakt me nënstacionin e policisë në Prilluzhë, i cili udhëhiqet nga Ivica Zdravkoviq.

Stacioni Policor në Zubin Potok është përgjegjës i nënstacionit policor në Gazivodë.

Skema paraqet vijën komanduese edhe të stacioneve të policisë në Graçanicë, Ferizaj dhe në Pejë.

I pari, siç e paraqet skema, udhëhihet nga Jankoviqi, në Stacionin e Policisë në Graçanicë, derisa ai i Ferizajt është i evidentuar si Stacion Policor në Shtërpcë, kurse Stacioni i Policisë në Pejë evidentohet të jetë me bazë në Gorazhdec.

Udhëheqësit dhe figurat qendrore të strukturave

Në dosjen “Pandora”, Dragoljub Delibashiq, i njohur me nofkën “Kapiten Dragani” në dokumentin e NATO-s, konfirmohet si udhëheqësi apo figura qendrore e strukturës së MUP-it të Serbisë në Kosovë. Ai i menaxhon të gjitha strukturat ilegale të policisë serbe në veri, por edhe në tërë territorin e Kosovës. Me bazë veprimi në veri të Mitrovicës, Dragoljub Delibashiq, raporton dhe merr urdhëra nga komanda në Kralevë të Serbisë.

Sipas dosjes “Pandora”, këto struktura në Kosovë kanë kryer aktivitete të rregullta policore, kanë poseduar ilegalisht armë dhe eksplozivë dhe kanë kryer aktivitete luftarake, përmes të ashtuquajturave grupe luftarake brenda strukturës së tyre.

E fokusuar kryesisht në veri të Kosovës, në Mitrovicë, e cila ka pasur qendrën në Kralevë, policia serbe, më saktësisht një departament tjetër i saj, i quajtur Agjencioni i Intelegjencës së Sigurisë (BIA), ka vepruar, sipas skemës organizative, edhe në qendra të tjera:

Prishtinë – baza e së cilës ka qenë e lidhur me Nishin, Mitrovicë – baza e së cilës ka qenë e lidhur me Kralevën, Pejë – që ka qenë e lidhur me Kragujevcin, Gjilan – i lidhur me Vranjen, Ferizaj – me Leskovcin, Prizren – lidhur me Krushevcin dhe Gjakovë – lidhur me Jagodinën.

Oficeri i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, Nebojsha Komatina, në skemë paraqitet në kontakt të drejtpërdrejtë me Zyrën e BIA-s në Mitrovicë, saktësisht me kontakte në kafenenë “Vozhd”.

Siç evidenton dosja, departamentet kryesore të Sekretariatit të Punëve të brendshme të Serbisë (MUP), të udhëhequra gjithnjë nga Dragoljub Delibashiq, me asistent Dragoljub Radeviqin, sipas skemës, janë përbërë nga:

– Distrikti i Mitrovicës, i udhëhequr nga Momir Kasaloviq;
– Departamenti Policor, i udhëhequr nga Milorad Radeviq;
– Departament i Trafikut, i udhëhequr nga Ljubo Kasaloviq;
– Departamenti i Krimeve, Goran Zhivkoviq;
– Departamenti i Komunikimit, Xhymret Hasani;
– Sekretariati i Punëve të Brendshme, Liljana Donkiq, Mitrovicë dhe
– Administrata kryesore, Danica Radojeviq.

Në kuadër të këtij organizimi kanë funksionuar edhe Departamenti i Zjarrit dhe organi disiplinor.

Është e paqartë nëse personi që përmendet në këtë skemë, i cili është i evidentuar si udhëheqës i Departamentit të Komunikimit, i quajtur Dzumret Hasani, gjendet në Kosovë apo në Serbi.

Po ashtu, organizatë e posaçme brenda kësaj strukture ka qenë famëkeqja BIA (Agjencia e Intelegjencës së Sigurisë), që u përmend më lartë.

Strukturat luftarake në Kosovë (Postet komanduese, patrullat dhe grupet ushtarake)

Faqja 12 e dosjes “Pandora” i ka të përmbledhura deri në detaje strukturat, siç janë të evidentuara në këtë dosje, postet komanduese, patrullat, grupet ushtarake dhe strukturat luftarake.

Në krye të tyre, sipas dokumentit, është kolonel Dragoljub Delibashiq – Dragani, me një tjetër zëvendës të tij, Rajko Sekularac.

Kjo strukturë, me dy qendra komanduese, ka kryer aktivitetet e saj kriminale në veri të Mitrovicës në Suhodoll, Rruga e Kollashinit, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Ura e Ibrit dhe shumë zona të tjera në veri, si dhe i ka monitoruar rregullisht KFOR-in, CIVPOL-in dhe Policinë e Kosovës.

Dosja evidenton edhe mënyrën e regjistrim/raportimit ditor, raportimit në Kralevë si dhe raportimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Beograd.

Qendra komanduese 1 dhe 2, evidentohet të jetë me bazë në rrugën Ivo Llolla Ribar dhe në rrugën Oslobodjenie, Brigada e Zjarrit, SUP.

Dosja evidenton edhe postet komanduese dhe përbërjen e tyre, udhëheqësit dhe armatimin e evidentuar. Në Postën komanduese 1, e vendosur në rrugën Vardarska, funksionojnë Divizioni i krimit, me udhëheqës Goran Zhivkoviq dhe 3 Oficerë tjerë, afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë.

Posta komanduese 2, e vendosur në rrugën Osllobogjenje në “Roki House”, në të cilën qëndrojnë 24 orë, evidentohet të jenë të armatosur me armë CZ-99 9mm dhe TT 7.62mm.

Posta komanduese 3 evidentohet të jetë e vendosur në rrugën Branka Spajiq, në kafe-barin “Krqma” në të cilën thuhet të operojë në 3 ndrrime dhe të armatosur me 1 MP “Skorpion” dhe që patrollojnë B.S: dhe Subi Dol deri te rruga Kolashinit.

Posta komanduese 4, e vendosur në rrugën Kralj Petar, në kafe-barin “Dragan” Arsic, evidentohet se 3 oficerë të policisë monitorojnë KFOR-in, CIVPOL-in dhe SHPK-në të armatosur me AK-47.

Ndërsa patrullimi, evidenton dosja, përbëhet nga 3 grupe, i pari në rrugën Drvarska, në të cilën operojnë 3 oficerë, i dyti në Ivo Llolla Ribar, Knjaz Milosh, rruga Vasilij Ostrski, në të cilën patrullojnë 3 oficerë si dhe grupi i patrullës së tretë, i vendosur në kryqëzimet Ivo Llolla Ribar dhe Knjaz Milosh, në lindje të Urës, në të cilën patrullojnë gjithashtu 3 oficerë.

Dosja evidenton, gjithashtu, grupet luftarake, të cilat janë të emëruara me udhëheqës dhe zëvendës, të ndara si më poshtë:

Grupi luftarak 1: Udhëheqës Sllavisha Radoviq, i njohur me nofkën “Djile”, me zëvendësin Radosllav Zubac, i njohur me nofkën “Zuki”,

Grupi luftarak 2: udhëheqës Nedleko Spasojeviq, i njohur me nofkën “Spaske”, me zëvendësin Sllobodan Radoviq, i njohur me nofkën “Boko”,

Grupi luftarak 3: udhëheqës, Dragan Baboviq, me zëvendësin Nenad Dimoviq, i njohur me nofkën “Dimçe”,

Grupi pasiv luftarak i Leposaviqit, evidentohet në dosje, udhëhiqet nga Zhivan Nestoroviq dhe

Grupi ushtarak, logjistika dhe mbështetja, evidentohet së udhëhiqet nga Stanisha Kostiq.

Në fund të dokumentit shënohet se: udhëheqësia (6 persona) e Grupeve Luftarake është konstante, ndërsa 14 persona të tjerë janë në dispozicion për cilindo nga grupet 1, 2 dhe 3.

Në të gjithë këtë aktivitet illegal, të udhëhequr nga Dragoljub Delibashiq, strukturat e MUP-it të Serbisë në Kosovë, në veri të Mitrovicës, janë implikuar në shumë aktivitete kriminale dhe në trazira, duke vepruar konform skemës që paraqitet në këtë dosje.

Në publikimin e pjesë së dytë të kësaj dosje, portali do ta paraqesë pjesën tjetër, atë të veprave kriminale të kryera ngë këto struktura të krimit të organizuar serb në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. (LajmeShqip.com)