Ekrani gjigant i Samsungut, në shitje
Edhe pse gjiganti elektronik korean, Samsung, ka vendosur të fokusohet në televizorët e bazuar në teknologjinë OLED dhe të ndajë seksionin joprofitabil (rreth 700 milionë dollarë humbje në vitin e kaluar) për prodhimin e LCD-ve në një kompani më vete
(Samsung Display Co.), duket që kjo kompani akoma nuk është e gatshme t’ia lëshojë konkurrencës segmentin më të lartë të tregut.
Ditë më parë në Korenë Jugore u lansua ekrani 75-inçësh Smart TV ES9000, specifik për nga dizajni minimal dhe korniza me trashësi prej vetëm 7,9 milimetrash.
Prej mundësive bombastike theksohet mundësia e manipulimit përmes lëvizjeve gjegjësisht gjesteve të duarve, update në harduer më të mirë përmes sllotit Smart
Evolution dhe lidhja pa tela me altoparlantët dhe pajisjet e tjera siç janë smartphone.
Bazohet në procesorin dybërthamësh me takt pune 1 GHz. Fotografia, sipas përshtypjeve të para është kulmore, qoftë sa i përket mprehtësisë qoftë reproduktimit të ngjyrave, sipas disa gazetarëve të cilët kanë pasur rastin të shohin këtë TV live dhe ta krahasojnë me ekranet OLED.
Televizori i ri tashmë është në dispozicion në tregun amë, ndërsa në Europë pritet të arrijë kah fundi i vitit. Kurse çmimi është rreth 17.500 dollarë në tregun lokal.