Eduard Kukan: Nëse e doni statusin, votoni tri ligjet

Eduard Kukan: Nëse e doni statusin, votoni tri ligjet

Eduard Kukan: Nëse e doni statusin, votoni tri ligjetKryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan kërkoi përgjegjshmëri nga politika shqiptare, në rast se duan integrimin e vendit.

Ai tha dje se politikanët shqiptarë e dinë shumë mirë se çfarë u kërkohet të bëjnë, nëse janë në favor të integrimit europian.

Duke pasur parasysh se integrimi është bllokuar edhe në të kaluarën për shkak të problemeve të brendshme politike, Kukan tha se do të ishte i kënaqur për votimin e tri ligjeve të mbetura në Parlamentin shqiptar, ç’ka do t’i hapte rrugën akordimit të statusit kandidat.

Po kështu, ai foli edhe për zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat duhet të jenë sipas standardeve ndërkombëtare. “Partitë politike, edhe kësaj radhe duhet të gjejnë mirëkuptim për problemet e rëndësishme e të sillen me përgjegjësi para zgjedhjeve.

Jo më kot presidenca irlandeze u referohet konkluzioneve të samitit evropian të dhjetorit, sepse këto konkluzione janë ende të vlefshme. Sipas tyre, ka disa çështje që ende nuk janë zgjidhur”, – u shpreh Kukan në një prononcim për “Albanian Screen”. Ai shtoi gjithashtu se “ne do të jemi të gjithë të kënaqur sapo të marrim vesh se tri kushtet e mbetura janë realizuar e votuar në Parlament dhe se nga ana tjetër edhe përgatitjet për zgjedhjet po ecin në rrugë të mbarë”, -deklaroi eurodeputeti, Kukan.

“Unë nuk dua të jem kritik, por mendoj se nëse politikanët në Shqipëri janë vërtet në favor të integrimit europian, atëherë ata e dinë shumë mirë se çfarë u kërkohet të bëjnë.

Nëse ata janë për progresin e vendit të tyre, duhet ta bëjnë këtë gjë”, – tha ai. Kukan i bëri këto komente duke iu referuar gatishmërisë së presidencës irlandeze për ta ndihmuar Shqipërinë në marrjen e statusit brenda 6-mujorit të saj, si dhe në prag të Konferencës për Ballkanin Perëndimor, që mbahet ditën e martë në Parlamentin Europian.