Edi Rama: Të ndryshojmë politikën
Kreu socialist flet para të rinjve, në nisjen e kursit të dytë të Akademisë Politike
“Kjo që shihni përditë s’është politikë, por batakçillëk”
Kryesocialisti ftoi dje të rinjtë të bëhen pjesë e programit të Partisë Socialiste për ndryshim. Duke folur në nisjen e kursit të dytë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste, Rama u kërkoi të rinjve të përgatiten për të qenë të gatshëm për të marrë në dorë politikën. “Jini vetja. Hidhuni në betejë me besimin te vetja.
Bëjeni veten tuaj një forcë të ndryshimit që meritoni dhe që do ta mbërrini vetëm duke e bërë të ndodhë me forcën tuaj të bashkuar me tonën e të gjithkujt që beson se meriton një vend më të mirë për të jetuar.
Kështu, ndryshimi do të vijë me të gjithë fuqinë e vet. Edhe koha e ndërrimit të stafetave do të vijë, pa dyshim. Bëjeni të mundur që ajo t’ju gjejë në vendin e duhur për të realizuar ambiciet tuaja politike”, u shpreh Rama. Akademia Politike e PS është një nismë e përbashkët e fondacionit “Qemal Stafa” dhe “Friedrich Ebert”.
Drejtues i Akademisë Politike të PS është anëtari i Asamblesë Kombëtare, Maqo Lakrori. Kryesocialisti vlerësoi numrin e madh të të rinjve të interesuar për t’u bërë pjesë e Akademisë, ndërsa i ftoi ata të futen në garë mes tyre. “583 aplikantë janë një numër fantastik, të cilin askush s’e priste, por janë edhe një barrë e madhe për komisionin përzgjedhës, i cili duhet të kualifikojë thuajse më pak se një në njëzet aplikantë. Dëshiroj t’u them të gjithë atyre që s’do të jetë mundësia t’u jepet e drejta për të hyrë në këtë akademi, se nuk duhet të trishtohen. Politika është edhe kjo. Është garë. Është konkurrencë e fortë. Është seleksionim i pamëshirshëm”, u shpreh Rama. Sipas tij, një në 20 të interesuar do të jetë pjesë e kësaj akademie. Rama u tregoi të rinjve arsyet pse ata duhet të angazhohen me politikën.
“Të merresh me politikë do të thotë të bësh të mundura, bashkë me të tjerët, gjëra që sot i vetëm askush s’i bën dot të mundura në mjedisin ku jeton. Për këtë ka lindur politika”, u shpreh kryesocialisti.
Sipas kreut të PS, politika shqiptare nuk është shembulli i mirë që duhet ndjekur, por ekzistojnë mundësitë që ajo të ndryshojë imazh. “Por, – tha Rama, – nuk duhet të tërhiqemi, pasi gjenerata e re mund të kthejë besimin për një politike fisnike. Sot, pa ndryshuar politikën, asgjë tjetër nuk ndryshon dot, për ju dhe të gjithë ju. Për realitetin e vështirë dhe të padurueshëm, në shtet, punë, lagje e Shqipërinë ku jetojmë. Pa ndryshuar politikën, gjeneratat tuaja dhe më të mira nuk do gjejnë sot vendin që meritojnë në bashkësinë e lirive të popujve europianë. Ju shpreh bindjen time se politika nuk është kjo që shihni përditë dhe pa shije dhe neveritë pa pushim me batakçillëkun e saj. Ju them se politika në vetvete është fisnike dhe ka mundësitë për të bërë transformime, ashtu siç ka bërë te njerëzimi”, u shpreh Rama./panorama/