Edi Rama takon Nishanin, flitet për bashkëpunim institucional

Edi Rama takon Nishanin, flitet për bashkëpunim institucional

Edi Rama takon Nishanin, flitet për bashkëpunim institucionalKreu i PS-së, Edi Rama, dha disa detaje të vogla lidhur me takimin që pati me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin, në takimin e zhvilluar sot në selinë e Presidencës.

Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Rama shkruan se takimi kishte tematikë bashkëpunimin institucional si dhe kalimin e pushtetit pa probleme.

Në fund, Rama e cilësoi takimin me kreun e shtetit si një takim pozitiv. “Me Presidentin e Republikës për tematiken e bashkëpunimit institucional e të tranzicionit të pushtetit pa probleme të reja. Takim pozitiv”, shkruan Rama.

Ndërsa zyra e shtypit e Presidencës njoftoi: “Presidenti Nishani e uroi zotin Rama për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për suksese në zbatimin praktik të programit politik, në të mire të qytetarëve të vendit dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Presidenti Nishani dhe kryesocialisti Rama shkëmbyen mendime per një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor”.

Përfundon takimi Rama-Nishani

Përfundoi takimi mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe kreut të shtetit, Bujar Nishanit. Takimi që u zhvillua në ambientet e Presidencës zgjati rreth 40 minuta.

Mësohet se takimi ishte kërkuar nga vetë kreu i PS-së, i cili sot feston edhe 49 vjetorin e lindjes.
12:30-Rama mbërrin në Presidencë

Ahtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, kreu i PS-së, Edi Rama, mbërriti në selinë e Presidencës, për t’u takuar me kreun e shtetit, Bujar Nishanin.

Takimi ka nisur dhe është me dyer të mbyllura. Mendohet se temë e takimit mund të jetë situata paszgjedhore dhe formimi i qeverisë së re në shtator.

11:00-Rama pritet të takojë Nishanin në Presidencë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë ditën e sotme një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Mësohet se takimi do të zhvillohet në orën 12:30 në ambientet e presidencës. Lajmi është konfirmuar nga burime brenda Partisë Socialiste.

Ky është takimi i parë mes Ramës dhe Presidentit Nishani që zhvillohet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë. /shekulli/