Rama: Majkon e dëgjova, u martova dhe hoqa çorapet e kuqe

Edi Rama: Majkon e dëgjova, u martova dhe hoqa çorapet e kuqe

Rama: Majkon e dëgjova, u martova dhe hoqa çorapet e kuqePartia Socialiste festoi dje fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit në amfiteatrin e Tiranës, në aktivitetin “Faleminderit Tirana”.

Deputetët e Tiranës, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, përshëndetën qytetarët e Tiranës për mbështetjen e fuqishme në këto zgjedhje dhe falënderuan të gjithë socialistët që kontribuan për fitoren. Ndërkohë, kryesocialisti Edi Rama tregoi edhe një histori për ditët e tij të para në PS. Shtatë vjet më parë, Pandeli Majko, atë kohë kundërshtar i Ramës, u zgjodh nga Kongresi i PS-së në postin e rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa Edi Rama u votua në krye të Partisë Socialiste.

Dy figurat e rëndësishëm të PS-së, ndërtuan një marrëdhënie të re së bashku, që nisi me 2 kërkesa të Majkos për liderin e ardhshëm të PS-së: Të mos shkonte në parti me çorape të kuqe dhe t’i jepte fund beqarisë. “Kemi shkuar tek zyra e Pandit kur u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, por nuk ishim dakord në atë kohë se më doli kundër, megjithatë e zgjodhi kongresi Sekretar të Përgjithshëm, mua më zgjodhën kryetar. Dhe unë e Saimiri i shkojmë në zyrë, Pandi nuk më shikonte fare mua. I thotë Saimirit ‘po ti i martuar je?’. Me një fjalë, ky është rast pa shpresë. Saimiri i thotë ‘Jo s’jam i martuar’ dhe Pandi i thotë mirë dil jashtë. Saimiri më pa mua, por unë s’i flisja dot se më duhej ta rregulloja me Pandin. Pandi kthehet nga unë më tha kam dy kushte ‘e para mos hajde me çorape të kuqe në parti dhe e dyta tha fillo mendoje se nuk e ke pa afat këtë të qenit beqar’.

Dhe i realizova të dyja, megjithëse çorapet e kuqe i përdor kur nuk kemi mbledhje grupi”, tregoi Rama. Kreu socialist u bëri dhe një ofertë të gjithë të interesuarve për të punuar që të paraqesin motivacionin e tyre për të kontribuar për mirëqeverisjen e vendit. “Duhet t’u japim mundësi të gjithë atyre që duan të kontribuojnë, që përmes letrës së tyre të motivimit dhe përmes CV-së së tyre të paraqesin interesin për t’i shërbyer shtetit shqiptar. Të gjithë atyre që janë këtu në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë”, tha Rama. Kryeministri i ri rikujtoi premtimin e tij për legalizimin e banesave brenda mandatit të parë, duke thënë: “Ne nuk jemi më në fushatë elektorale dhe prandaj unë ndjehem më i lehtësuar që t’ju them të gjithë atyre që presin të legalizojnë shtëpinë, që janë liruar nga kthetrat e një partie që i la pa legalizuar vetëm e vetëm për t’ju marrë votën. Ne në fund të mandatit tonë të parë do të jemi shumë krenarë para tyre, se gjithkush që ka ndërtuar një shtëpi do ta ketë atë pronë të patundshme të regjistruar në hipotekë.

Procesin e legalizimit do ta bëjmë një proces që do të përfshijë çdo familje që ka nevojë për titullin e pronësisë”. Një vend të veçantë në fjalën e kreut socialist zunë dhe falenderimet për të gjithë ata që punuan për rezultatin pozitiv të së majtës në Tiranë, si Njësia 5, 6 dhe 7. Premtimi i Majkos Kryesuesi i listës të kandidatëve për Tiranën, Pandeli Majko u bëri thirrje publike atyre që kanë shkelur ligjin dhe kanë shantazhuar administratën për qëllime politike, të largohen para shtatorit.

“Ka ardhur koha t’ua them sot pa pritur shtatorin, të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin, që u kanë nxirë buzën, që i kanë hequr nga puna këta njerëz, që s’kanë lënë gur mbi gur, duke ardhur vërdallë si korba nëpër qendrat e votimit, duke bërë presion; Tani është koha të ikin në paqe. Na keni mbajtur dhe do t’ju mbajmë”, theksoi Pandeli Majko, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PS-së për Tiranën.