Edi Rama, konferencë shtypi në Twitter

Edi Rama, konferencë shtypi në Twitter

Edi Rama, konferencë shtypi në Twitter Kreu i opozitës, Edi Rama, e nisi aktivitetin politik këtë fillimviti jo me deklarata politike apo bashkëbisedim me gazetarët, por duke i dhënë përgjigje morisë së pyetjeve adresuar nëpërmjet rrjeteve sociale Twitter dhe Facebook. 

Bashkëbisedimi i Ramës me mijëra ndjekësit e tij në Twitter ishte me pyetje të larmishme për shumë çështje, por binte në sy një interesim i madh që lidhej drejtëpërdrejt me sigurinë e votës në zgjedhjet e 23 qershorit.

“A ekzistojnë mekanizma që neutralizojnë qëndrimet politike të KQZ-së në dëm të zgjedhjeve dhe vullnetit politik të shqiptarëve?” ishte një prej pyetjeve të shumta që lidhen me zgjedhjet për të cilën Rama dha këtë përgjigje: “Po, të fitojmë me një diferencë të pacënueshme nga çfarëdo instrument manipulimi. Fjala vjen +10 e Tiranës ta bëjmë +10 mijë.”

Një bllok tjetër pyetjesh me karakter politik drejtuar Ramës lidhej edhe me koalicionet para dhe pas zgjedhore. I pyetur a është i mundur një koalicion me FRD-në e Bamir Topit, për Edi Ramën fillimisht FRD-ja duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhëti. Baraslargimi, thekson Rama në përgjigje, ndihmon regjimin.

Andi Musta e pyeti Edi Ramën nëse aleancat parazgjedhore do të jenë vetëm majtas apo edhe më gjerë? “Sot ndarja s’është majtas-djathtas, por mes regjimit dhe opozitës”, u përgjigj Rama dhe për këtë në këndvështimin e shefit të opzitës shqiptare duhet që opozita të bëjë një front të gjerë nga e majta në të djathtë për rotacion.

“Kur do të kemi programin qeverisës të plotë të PS-së dhe a do të këtë një konsultim të gjerë me qytetarët përpara miratimit final”, pyeti Elvis Cela.
“Programi ynë për një rilindje shqiptare do të jetë plani më i detajuar qeverisës që një parti ka pasur para zgjedhjeve në 22 vjet”, ishte përgjigja e Ramës.

Nuk munguan në bashkëbisedimin online të Ramës edhe pyetjet për çështje sociale siç ishte ajo e një mësueseje e cila pyeti nëse do të mund të punësohet kur të vijë Partia Socialiste në pushtet pa paguar 5 mijë euro.
Kjo pyetje e ka përgjigjen brenda, shkruajti Rama, ndryshe për çfarë po flasim. Ky është ndryshimi ku besojmë.

Rama nuk ka ngurruar t’i përgjigjet edhe interesimit të një prej bashkëbisedueve i cili e pyeti nëse është e vërtetë që ai ka 3 mijë euro pasuri. “Jo, pasuria ime s’është 3 mijë euro. Është spekulluar turpshëm me një deklaratë kursimesh” deklaroi Rama.

“Kush e ka vendin e punës pa meritë s’do ta mbajë dot. Taksat s’mund të përdoren për të mbajtur me rroga të majmura ushtarët e partisë.” Kështu iu përgjigj Rama pyetjes që lidhej me ushtrinë e militantëve nëpër institucione.

I pyetur nga Parid Flaga për privatizimin e Albpetrolit dhe pasurisë kombëtare, Edi Rama tha se “dallimi themelor mes nesh e tyre është tek qasja ndaj pasurisë kombëtare e publike. Albpetroli është faqja e tyre më e zezë”.

Ky lloj bashkëbisedimi online i Ramës është praktikuar me efikasitet edhe në të shkuarën nga udhëheqës botërorë, siç ishte rasti i presidentit Barak Obama gjatë fushatës presidenciale dhe ish-kryeministrit të Italisë Mario Monti një ditë më parë.