Edi Rama

Edi Rama: Kështu do qeverisim, ja katër hapat

Edi RamaPavarësisht rritjes ekonomike të deklaruar nga kryeministri në detyrë Sali Berisha, të ardhurat tregojnë krejt të kundërtën. Nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 45 miliardë lekë më shumë se sa të ardhurat e parashikuara nga qeveria Berisha për t’u realizuar gjer në fund të vitit.

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama  ka publikuar katër hapat që do të ndërmarrë për përmirësimin e sistemit financiar të vendit. Përmes një dokumenti të postuar në profilin e tij në Facebook, lideri i së majtës garanton se do të ketë një reformim të thellë të sistemit financiar. Verifikimi dhe Analiza; Reforma ligjore dhe administrative; Raportimi financiar sipas standardeve  ndërkombëtare dhe së fundi, Auditimi i Jashtëm i pasqyrave financiare të qeverisë,- janë katër masat që do të ndërmarrë menjëherë qeverie e re me ardhjen në pushtet për të ndryshuar rrënjësisht sistemin aktual financiar.

Menjëherë me ndërrimin e pushtetit, qeveria Rama do të nisë punën për të analizuar entitetet dhe informacionet financiare, e cila do të përmbajë një përshkrim të kujdesshëm të nivelit aktual të raportimit financiar përmes entiteteve qeveritare nga ato të nivelit më të ulët deri te niveli i ministrive. Një hap i rëndësishëm që do të ndiqet në këtë fazë do të jetë dhe verifikimi i gjendjes pasurore të qeverisë dhe të entiteteve të kontrolluara, të cilët do të përfshijnë asetet dhe detyrimet e tyre ndaj palëve të treta. Duke marrë shkas nga borxhi i madh që shteti u ka kompanive private, një nga detyrat e qeverisë së majtë është përcaktuar të jetë verifikimi në lidhje me kontrata më të mëdha të shërbimit të punëve publike që janë në progres për të parë edhe shpenzimet aktuale. Në ndihmë analizës do të përdoren edhe anketat apo intervistat me palët që janë përdoruese të informacionit financiar në sektorin publik dhe do të analizohen sistemet e informacionit që përdoren aktualisht nga qeveria aktuale për të regjistruar transaksione me fondet publike dhe për të gjeneruar raporte financiare.

Reforma ligjore dhe administrative

Sa i përket hapit të dytë që do të ndiqet nga qeveria Rama, fokus të veçantë do t’i vihet draftimit dhe miratimit në parlament të ligjit i cili rregullon raportimin financiar të entiteteve publike duke përdorur standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik (SNKSP. Sipas ekspertëve të PS-së, ligji duhet të përcaktojë dhe detyrimin e auditimit të këtyre pasqyrave financiare, të paktën në nivelin më të lartë të konsolidimit, atë të ministrisë. Në lidhje me reformën administrative, pritet që të ngrihet dhe zbatohet sistemi i ri i raportimit financiar.  Për secilin entitet, hartuesit e kësaj reforme janë të mendimit se do të kërkohet implementimi i softwareve të ri apo azhornimin e softwarëve ekzistues që të mundësojnë raportimin e ri dhe trajnim të stafit që do të merret me raportimin financiar (si atyre që punojnë në departamentet e financës dhe të drejtuesve të tjerë të institucioneve). Hapi i tretë që do të ndiqet nga socialistët për përmirësimin e sistemit financiar shqiptar, pritet që të jetë raportimi në nivel entiteti dhe konsolidimi i mëtejshëm edhe në nivel ministrie apo qeverie sipas standardeve ndërkombëtare. Në këtë fazë do të kontrollohet raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe lëvizja e parasë. Si fazë të katërt, qeveria socialiste ka përcaktuar auditimin e jashtë dhe të pavarur nga një prej katër kompanive më të mëdha në këtë sektor, të cilat do të kontrollojnë pasqyrat e përgatitura dhe në nivel Ministrie. Këto të fundit do të botohen për efekt transparence, ndërsa ministritë do të marrin dhe raporte shtese (letra ndaj drejtuesve) që do të përmbledhin gjetje të tjera mbi sistemet e kontrollit të brendshëm, riskun etj).

Rama: Auditimi për të nxjerrë në dritë të vërtetën

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, thotë se rilindja e ekonomisë shqiptare nis nga nxjerrja në dritë e gjendjes aktuale të financave shqiptare. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se është i domosdoshëm auditimi ndërkombëtar i financave publike. “Rruga e rilindjes ekonomike të Shqipërisë nis nga nxjerrja në dritën e të vërtetës së gjendjes aktuale të financave shqiptare. Na duhet të dimë me saktësi një orë e më parë, sa e madhe është gropa e krijuar në buxhetin e shqiptarëve në këto vite politikash rrënuese, ekonomike e fiskale. E për këtë na duhet një analizë e thellë, objektive dhe e pavarur. Angazhimi ynë është t’i drejtohemi një pale të tretë, me ekspertizë të padiskutueshme në rang ndërkombëtar”, shkruan Rama.  Kreu i qeverisë shprehet se me marrjen e drejtimit të qeverisë do të nisë menjëherë puna për zbatimin e reformave të premtuara. “Ne po përgatitemi për ta bërë këtë me të nisur nga puna. Sot dua të ndaj me ju në mënyrë të përmbledhur, piketat e projektit që do të transformojë rrënjësisht sistemin e Raportimit Financiar të Sektorit Publik në Shqipëri. Dhe do ta përgatisë Shqipërinë për të jetësuar standardet europiane të kontabilitetit të sektorit publik”, përfundon komentin e tij Rama.

Reformat e tjer

Kryeministri Edi Rama premton se reforma të tjera të rëndësishme do të ndiqen të cilat do të ndikojnë në cilësinë e raportimit financiar dhe të aktivitetit të qeverisë në përgjithësi. Sa i përket përmirësimit të sistemit të kontrolleve të brendshme, priten që të zbatohen kornizat ndërkombëtare të kontrollit; diagnostifikim dhe përmirësimi i sistemeve të kontrollit si dhe hartimi i një udhëzuesi të kryerjes së proceseve themelore e mbështetëse. Në lidhje me përmirësimin e efikasitetit të auditimit të brendshëm, parashikohet ristrukturimi i funksionit të auditimit të Brendshëm dhe rritja e kapaciteteve të auditimit të Brendshëm (trajnime, zhvillime udhëzues, rishikim i punëve apo raporteve etj.

361 miliardë lekë janë të ardhurat  e planifikuara për këtë vit, ndonëse që tani ato nuk janë realizuar. Socialistët akuzojnë qeverinë se ka qenë të paaftë për të realizuar të ardhurat. Pjesa më e madhe e tyre, 71 % është parashikuar që të mblidhet nga doganat dhe tatimet, ndërsa të ardhurat nga fondet speciale janë në shifrat e 17 %. Të ardhurat jotatimore janë në vlerën e 6 %, ndërsa nga pushteti vendor janë vetëm 3 %.

409 miliardë lekë janë shpenzimet nga buxheti i shtetit duke qenë më të larta se sa të ardhurat nga buxheti i shtetit. Pjesa më e madhe e shpenzimeve kanë shkuar për fondet speciale, ndërsa ato për personelin arrijnë në 18%. Jo pak janë edhe shpenzimet operative mirëmbajtjeje që kapin vlerën e 8 %, ndërsa për buxhetin vendor shkon në 7 %. Investimet kapitale arrijnë në 17 për qind të fondit të harxhuar.

Qeveria ka tejkaluar planin e borxhit të jashtëm me 3.2 miliardë lekë gjatë pjesës së parë të këtij viti. Nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave rezulton se niveli i borxhit arriti për periudhën janar-qershor vlerën e 10.1 miliardë lekë, ndërkohë që plani ishte për 6.9 miliardë lekë. Borxhi i jashtëm po përdoret kryesisht për investime publike afatgjata dhe pjesa më e madhe e financimeve që janë marrë borxh janë kredi zhvillimi, me afat të gjatë dhe interesa jo të lartë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për gjashtë muajt e parë të këtij viti niveli i huamarrjes së brendshme arriti në 25.2 miliardë lekë, duke qenë 2.8 miliardë lekë më shumë se plani i kësaj periudhe. Në total, stoku i borxhit publik të vendit ka arritur aktualisht në 62.4 % të Produktit të Brendshëm Bruto, duke pësuar rritje të vazhdueshme që pas heqjes së kufirit prej 60% të këtij treguesi në fund të vitit të kaluar nga parlamenti.

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, publikon piketat e reformës financiare. Kryefjala e kabinetit Rama do të jetë transparenca e plotë përmes auditit ndërkombëtar.