Edi Rama: INSTAT ka mbetur për vite me radhë peng i politikës

Edi Rama: INSTAT ka mbetur për vite me radhë peng i politikës

Edi Rama: INSTAT ka mbetur për vite me radhë peng i politikësKryeministri Rama, i cili ndoqi dje konferencën e Institutit të Statistikave, deklaroi se eksodi i viteve ‘90 u përsërit në mënyrë të heshtur gjatë dhjetë vjetëve të kaluara.

“480 mijë njerëz janë larguar nga Shqipëria në 2001-2011. Largimet e mëdha të viteve ‘90 dhe një largim i dytë është bërë jashtë vëmendjes së mediave dhe në mënyrë konstante ditë pas dite, duke rezultuar me gjysmë milion shqiptarë të larguar në 10 vitet e dyta.

Padyshim deri këtu ka shumë vend për të analizuar dhe për të diskutuar, ndërkohë që s’ka arsye për të besuar se pas 2011-s, kur ne nuk disponojmë më të dhëna, ky trend të ketë ardhur duke u ulur, me shumë gjasa mund të ketë ardhur duke u rritur”, deklaroi Kryeministri Rama. Konferenca e INSTAT-it bëri projeksione edhe mbi popullsinë në vitet e ardhshme, duke paralajmëruar zvogëlimin dhe plakjen e saj. Bazuar në projeksionet e reja të popullsisë, në vitin 2027 rritja natyrore mund të bëhet negative, pra numri i vdekjeve do të tejkalojë atë të lindjeve. Duke iu referuar shifrave, Kryeministri njoftoi përshpejtimin e tri reformave që bëhen urgjente edhe nga dhënat mbi popullsinë të Censusit 2011.

Ato janë reforma territoriale, urbanizimi dhe rindërtimi i skemës së pensioneve. “Duhet t’i lexojmë qartësisht shifrat si shprehje e një emergjence të madhe për dy reforma, atë territoriale, dhe reformën e urbanizimit që lidhet me kapitalizimin e gjithë aseteve të krijuara në rrugë jo të ligjshme. Flas për ndërtimet pa leje, por që përbëjnë një kapital që sot është jashtë sektorit financiar dhe që nesër do të bëhet falë procesit të legalizimeve. Gropa ekzistente sot mes kontributeve të pensioneve, me 430 dollarë deficit, do të mund të thellohet në të ardhmen pikërisht për arsye demografike.

Kjo është arsye që reforma e pensioneve, të kryhet njëherë e më parë”, arsyetoi Kryeministri Rama. Instituti i Statistikave, sipas Ramës, “fatkeqësisht, pavarësisht punës profesionale dhe mundësive të mëdha të shumëkujt në rolin e nëpunësit në INSTAT, dhe pavarësisht financimeve apo projekteve që në bashkëpunim me partnerë janë ofruar, është fakt se për vite me radhë INSTAT mbeti peng i politikës së ditës dhe i ambicieve të pushtetit për të kontrolluar humorin e publikut edhe nëpërmjet shifrave. Për vite të tërë kishin nxjerrë në dritë llogari qëllimisht të gabuara”.

Risitë e censusit

Instituti i Statistikave ka prezantuar serinë e plotë të studimeve analitike e shkencore mbi rezultatet e Censusit 2011. Sipas Gjergji Filipit, drejtor i INSTAT-it, studimet janë produkt i një pune të gjatë kërkimore dhe shkencore të realizuar nga ekipi i INSTAT në bashkëpunim me ekspertët e Asistencës Teknike të BE‐së, ekspertët e Universitetit të Gjenevës dhe Neuchatel si dhe Institutin e Kërkimeve Urbane.

“Për herë të parë në historinë e Censuseve në Shqipëri është kryer vlerësimi i cilësisë së të dhënave si dhe vlerësimi i mbulimit të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, të cilët certifikojnë të dhënat mbi të cilat janë bazuar këto analiza e të tjera që do të pasojnë.

Kjo paketë e plotë e 11 studimeve analitike, përbën një risi të paprecedent në Shqipëri për nga metodat shkencore të përdorura në analizimin e të dhënave si dhe të teknologjisë së përpunimit dhe komunikimit të tyre”, tha Filipi. Ndërkaq, përfaqësuesi i BE, Clive Rumbol, ka vlerësuar rolin e këtij institucioni duke theksuar se, “Krahasimi i të dhënave është i rëndësishëm, pasi BE duke krahasuar të dhënat e qarta në rajon përpilon edhe politikat tona”- u shpreh Clive