|

Edhe Majko kundër Kuçit

Idenë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, për një traktat paqeje me Serbinë, e ka kundërshtuar edhe deputeti i partisë Socialiste, njëherësh ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko.

Majko ka thënë se aktualisht një traktat paqeje mes Serbisë dhe Kosovës do të vendosej detyrimisht në kuadër të një dokumenti ndërkombëtar, që momentalisht do të ishte kryesisht Rezoluta 1244, raporton KTV.

“A do të pranonte Kosova të hynte në kontekstin e këtij dokumenti në bisedime për një traktat paqeje? Për Serbinë, Rezoluta 1244, e cila përmban edhe fjalën ‘Jugosllavi’, do të nxiste perceptime juridike dykuptimëshe. Për Serbinë kjo do të ishte marrëveshja mes ‘Shtetit’ dhe ‘Krahinës’”, ka thënë Majko.

Ish-kryeministri shqiptar ka thënë se një situatë e tillë do të rihapte debate edhe në NATO rreth vazhdimit të prezencës ushtarake në Kosovë, e cila garanton paqen.

Ideja e zëvendëskryeministrit Kuçi që Kosova të bëjë një traktat të paqes me Serbinë, ka nxitur reagimin edhe të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova nuk mund të bëjë traktat pasi që nuk ka ushtri dhe një Traktat i Paqes ishte Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë së Jugosllavisë.

Por zëvendëskryeministri vazhdon të përkrah idenë e tij, duke thënë se pas çdo konflikti mes dy shteteve vendoset një traktat i paqes. Ai gjithashtu ka thënë se rezoluta 1244 nuk i bie tamam Kosovës dhe është një rezolutë e tejkaluar.

1 përgjigje për “Edhe Majko kundër Kuçit”

  1. rami says:

    cudi pse shqiptaret kerkojne keto merveshje paqe,kur e dijne se dem baba dem kane qene viktima te pushteteve te ndryshme,asnje here nuk kane qene agresor,as nje here nuk kane qene shtypes te ndonj e populli tjeter,asnje here nuk kane grabitur teritore te huaja,por jane grebitur nga te tjeret.Vale,kush duhet te kerkoje paqe,kush duhet te kerkoje falje per gjitha te berat qe u kane bere shqipetareve.Falje duhet te kerkojne agresoret e jo viktimat.Mija njerez jane te zhdukur,mija femije kane mbetur jetime ,mijra familje kane mbetur pa te dashurit e tyre,e keta te fundit duhet te bejne paqe me dikend ,apo ti kerkojne falje dikujt ,kjo edhte apsurde, dhe mos pergjegjesi politike ,morale dhe njerzore.Mos luani me fatin e njerzeve,bar ju politikanet shqipetare qe populi ua ka besuar edhe jeten e vet,Kjo eshte turp mbi turpa.

Komentoni