Edhe Kosova me “platformë” për veriunKosova me “platformë” për veriun

Edhe Kosova me “platformë” për veriun

Edhe Kosova me “platformë” për veriunKosova me “platformë” për veriunQeveria e Kosovës është duke hartuar një propozim-dokument të cilin do ta paraqesë në takimin e 17 janarit mes dy kryeministrave Thaçi e Daçiq në Bruksel. Burime të RTK-së kanë bërë të ditur se ky dokument i cili është duke u hartuar nga Qeveria do të përmbajë zgjidhje për veriun dhe serbët që jetojnë atje, zgjidhje këto të bazuara në pakon e Ahtisaar-it dhe Kushtetutën e vendit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, më 17 janar do të shkojë në Bruksel me plan konkret për veriun. Gjatë takimit me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, Thaçi pritet të hedhë në tavolinë një propozim-dokument, nëpërmjet së cilit do të ofrojë alternativën e Kosovës për zgjidhjen e problemit të veriut.

Burime të Radiotelevizionit të Kosovës brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se propozim-dokumenti është në fazën e hartimit, dhe se ai po hartohet nga kabineti i kryeministrit Thaçi.

Sipas këtyre burimeve, ndër të tjera ky dokument pritet të përfshijë zgjedhjet e lira në tri komunat e veriut – Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, krijimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe shpërbërjen e strukturave paralele. Ky plan, sipas këtyre burimeve, do të ofrojë edhe liritë dhe të drejtat për pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në atë pjesë, mirëpo nuk do të tejkalojë Pakon e Ahtisarit.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk pranohet zyrtarisht nga Qeveria. Zv/kryeministri, Hajredin Kuçi, i kontaktuar nga RTK-ja, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, duke thënë se nuk e di nëse ka një dokument me të cilin do të paraqitet kryeministri në Bruksel.

Ndërkohë, opozita vlerëson se Kosova në çfarëdo zgjidhje që do të ofrojë për veriun dhe serbët e asaj pjese, në asnjë moment nuk guxon ta tejkalojë Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e vendit.

Arben Gashi nga LDK i ka thënë RTK-së nëpërmjet telefonit se çdo propozim tjetër nga ana e Qeverisë së Kosovës që tejkalon Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën, është e papranueshme. Sipas tij, veriu është pjesë e Kosovës dhe nuk guxon të negociohet asnjë pjesë e territorit të vendit.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se pala e Kosovës nuk do të duhej të shkonte në këto bisedime pa kushte.

“Fakti se Serbia e ka paraqitur një platformë përmes së cilës kërkon autonomi për veriun e madje përzihet edhe në punën e Kuvendit të Kosovës është një arsye e fortë që Kosova të mos marrë pjesë në këtë dialog”, tha ai.

Në takimin e 17 janarit ndërmjet dy kryeministrave Thaçi e Daçiq nën ndërmjetësimin e BE-së, pritet të parashtrohen tri propozime. Pala serbe pritet të dalë me platformën e vet, pala kosovare me propozim-dokument, e po ashtu edhe Brukseli pritet të ofrojë një zgjidhje për veriun. /rtk/