Ernst_Reichel_01_738449844_171904459

E kaluara gjermane, model për Kosovën dhe Serbinë

Gjermania, si një nga shtetet lidere të Bashkimit Evropian, nuk po kërkon njohjen e Kosovës nga Serbia, por vendosjen e marrëdhënieve bilaterale që do të mund të bëheshin edhe pa formulimin e njohjes së plotë ndërkombëtare.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka thënë se procesi duhet të fillojë menjëherë pas krijimit të Qeverisë së re në Serbi. Sipas përfaqësuesit të njërit nga shtetet që ka ndihmuar në krijimin e Kosovës së pavarur, me Serbinë nuk duhet të ketë vetëm dialog për veriun, por shumë më shumë.

“Ne jemi edhe më ambiciozë se kaq. Nuk duam që të flitet vetëm për veriun, por që të normalizohen marrëdhëniet në tërësi mes Kosovës dhe Serbisë. Veriu është vetëm njëra nga çështjet. Se si do të adresohet ajo në aspektin teknik, kjo është një çështje që duhet diskutuar. Qeveria thotë se dëshiron që veriun ta zgjidhë në dialog me qytetarët atje, dhe kjo është në rregull. Nuk e kontestoj këtë. Por ne duam të shkojmë përtej kësaj dhe t`i diskutojmë të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të gjendet marrëveshje për të gjitha mospajtimet, në nivelin teknik dhe politik eventualisht”, ka thënë Reichel.

Sipas tij, modeli i marrëdhënieve që kanë pasur dy shtetet gjermane mund të jetë njëri nga modelet që do të përdorej edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.