Dy mjeshtrit e artit modern “takohen” në ekspozitë

Dy mjeshtrit e artit modern “takohen” në ekspozitë

Në muzeun “Paul Klee” të Bernës është hapur ekspozita e cila tërheq paralele midis krijimtarisë së Kleesë (1879 – 1940) dhe Picasoss (1881 – 1973).

Dy krijuesit me nam janë takuar në vitin 1933 kur Klee, bashkë një grup artistësh, vizitoi atelienë e kolegut të tij spanjoll. Ata do të takoheshin për së dyti në vitin 1937, në atelienë e piktorit gjermano-zviceran në Bernë.

Më shumë se 70 vjet më vonë, më se 180 eksponate të këtyre mjeshtërve të mëdhenj kanë zënë vend në ekspozitën “Klee njofton Picasson”, e cila do të jetë e hapur deri në fund të shtatorit. Ekspozita zbulon personalitetin e dy mjeshtërve të artit modern.

Para se të njiheshin, Klee dhe Picasso në pikturat e tyre trajtonin tema pothuajse të ngjashme. Ekspozita nxjerr në pah ndikimin e artit të Picassos tek ai i Kleesë. Ky i fundit i ka “vjedhur” maestros spanjoll elemente të stilit, por gjithsesi duke ruajtur nuancat e dorës së tij në pikturë. Ai lëkundej midis vrazhdësisë dhe ironisë artistike.

Në Bernë janë ekspozuar edhe skica të njohura të Kleesë, që ngjajnë me vizatime fëmijësh. Ato janë pikëtakimi i këtij piktori me Picasson. Pikturat e këtij stili, tek mjeshtri spanjoll njihen si vepra të periudhës së tij blu.

Po ashtu në portretet e piktorit gjermano-zviceran shihen edhe elemente të tjera që përdorte kolegu i tij spanjoll, siç është rasti me fytyrat asimetrike të modeleve që portretizohen apo sytë e zgurdulluar.