Dy ditë mbledhje,  pa asnjë vendim

Dy ditë mbledhje, pa asnjë vendim

Dy ditë mbledhje,  pa asnjë vendimKuvendi i Kosovës ka debatuar gjatë dy ditëve për problemet në Universitetin publik “Hasan Prishtina” , por në mungesë kuorumi, për shkak të bojkotit nga koalicioni qeverisës, përfundoi pa asnjë vendim.

Ndërsa dje u debatua thuajse gjatë gjithë ditës, sot debati ishte më i shkurtër. Ai kishte të bënte me harmonizimin e qëndrimeve midis grupeve parlamentare për rekomandimet rreth Universitetit, por mungoi vullneti i mirë që kjo të arrihej dhe çështja u shty për një mbledhje tjetër, sigurisht të javës së ardhshme.

Kuvendi kishte në rend të ditës edhe çështje të tjera – një varg projektligjesh a plotësime ligjesh, që kërkonin praninë e ministrave të dikastereve përkatëse, por ata mungonin. Kryekuvendari, Jakup Krasniqi, nuk pati një arsyetim për mungesën e tyre, por tha se pa ta diskutimi do të ishte i kotë.

Përveç votimit të rekomandimeve, sot në rend dite ishte edhe shqyrtimi për herë të parë i këtyre projektligjeve: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit; Projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Duhej të shqyrtohej edhe Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Si pika e fundit e kësaj seance kanë qenë edhe emërimi i një anëtari të Bordit të RTK-së, si dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Gjyqësor për emërimin e Organit përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kryesia do të vendosë se kur dhe me çfarë rendi të ditës do të zhvillohet mbledhja e ardhshme e Kuvendit.

Mbledhjet e Kuvendit zakonisht mbahen të enjteve.