Dosja e “Sokol Olldashit” drejt përfundimit

Dosja e “Sokol Olldashit” drejt përfundimit

Dosja e “Sokol Olldashit” drejt përfundimitKanë kaluar disa muaj dhe akoma nuk ka një prononcim zyrtar nga prokuroria, nëse ndarja nga jeta e ish-deputetit Olldashi ishte aksident apo vrasje.

Ndarja nga jeta e politikanit të njohur, Sokol Olldashi, para kohe ka lënë shumë pikëpyetje për opsionin publik duke mos ditur të vërtetën e aksidentit, siç thuhet. Mediat, individë të ndryshëm dhe ekspertë kanë dhënë versione të ndryshme, të cilët nuk janë të bindur plotësisht nëse ka qenë aksident.

Bile edhe vetë prokurorë e specialistë të krimit kur i pyet në koifidencë, të thonë se nuk ka asnjë mundësi të jetë aksident vdekja e tij dhe japin deduksione nga më të ndryshmet, të cilat të çojnë që dosja ka nevojë për rihetim, ndonëse burime të prokurorisë tregojnë se ajo po shkon drejt përfundimit si dosje hetimi, shkruan Koha jonë.

Humbja e Olldashit ka lënë shumë pikëpyetje, të cilat në fakt duhet t’i kërkonte në radhë të parë Partia Demokratike, e cila mbi gjithçka duhej të kërkonte zbardhjen sa më shpejt dhe të kërkonte prononcim zyrtar nga organi i akuzës dhe ministria e Brendshme.

Por, deri në këto momente, PD-ja ka heshtur dhe nuk kemi dëgjuar akoma një zyrtar të PD-së pse nuk jepet një prononcim zyrtar nga organi i hetimit. Vërtet ka një raport të mjekësisë ligjore, por ka edhe prononcime nga mjekë, të cilët e kanë ruajtur anonimatin duke dhënë versionin e tyre se nuk janë të bindur që ishte një aksident.

Përderisa akoma nuk ka një prononcim zyrtar se vdekja e Olldashit ishte një aksident, me të drejtë lindin disa pikëpyetje nga çdonjëri që dëshiron të zbardhet e vërteta e kësaj çështje tronditëse. Cilat janë pikëpyetjet e vdekjes që Sokol
Olldashi la pas? Duke iu referuar dëshmisë së një doktori, që dëshiron të mbetet anonim, ai bën me dije se “ishte një plagë gjatësore e madhe”.

Normalisht një plagë e tillë nxjerr mbi dy litra gjak, që do të thotë pellg gjaku në makinë dhe përreth, por çuditërisht makina, siç tregohet në akt-ekspertim, ishte e pastër brenda”. Sipas fotove, ka sasi gjaku vetëm në tokë. Normalisht, duhej të kishte gjak edhe në ndonjë pjesë të makinës, të paktën në baxhon e automjetit!
Ekspertët e mjekësisë ligjore theksojnë se plaga është shkaktuar nga xhami i baxhës së automjetit tip “Mercedez Benz”, por mjekë që nuk dëshirojnë të identifikohen me emër, janë skeptikë duke theksuar se: “Xhami pretlëkurën,por jo kockën e kafkës që është shumë e fortë, siç quhet në gjuhën mjekësore.”Dyshimet përforcohen nga të pranishmit në vendngjarje, të cilët theksojnë se: “Të gjitha airbeget ishin hapur, por asnjë vegël e gjatë që mund të ketë shkaktuar plagën nuk gjendet në makinë”.

Kjo është një pikë tjetër dyshuese. Ndërsa, raporti i Mjekësisë Ligjore, i cili përmban edhe filmimet dhe fotot e këqyrjes së kufomës së të ndjerit, theksojnë faktin se vdekja ka ardhur nga xhami i baxhës së automjetit, por nuk specifikojnë se si baxhoja mund të shkaktojë një prerje gjer në kockën e kafkës!

Një dyshim tjetër është raporti i ekspertëve auto-teknikë, ku në balloren e aktit të ekspertimit thuhet, “Aksidenti si pasojë e daljes jashtë rruge në kushtet e errësirës dhe motit me shi”. Ndërsa në përfundim, në përgjigjen numër 6 të aktit të ekspertimit auto-teknik, do të lexojmë: “Referuar shpjegimeve të mësipërme, konstatojmë se shkaku determinant teknik i ndodhjes të aksidentit janë shkeljet e kryera nga drejtuesi i autoveturës”, dhe radhit shpejtësinë, mosrespektimin e sinjalizimit e sistemeve të fiksimit, duke i shoqëruar me dispozitat respektive të Kodit Rrugor, që nuk kanë asgjë me problemet teknike të ekspertimit të automjetit.

Ky përfundim nuk ka lidhje as me atë ç’ka lexojmë. Atëherë cilin duhet të besojmë, balloren e aktit apo përfundimin që është ndryshe nga ballorja? Gjer tani, nuk kemi gjithashtu ndonjë prononcim zyrtar dheasnjë të dhënë, nëse janë marrë gjurmët brenda makinës. Pra, çdo prokuror apo oficer i policisë gjyqësore, fillimisht do të evidentonte gjurmët brenda makinës. A ka shenja të tjera brenda makinës, përveç atyre të deputetit Olldashi? Pse nuk bëhet i ditur ky fakt? Ende nuk ka një përgjigje, se çfarë regjistruan kamerat e tunelit Tiranë- Elbasan, ku pretendohet se kaloi makina ku udhëtonte ish-deputeti i PD-së, që do të tregonin, orën e kalimit dhe sa persona ishin në të. A ka patur ndonjë makinë para dhe pas makinës së z. Olldashi?

Një pyetje tjetër që duhet kërkuar edhe tek prodhuesit e makinës të “Benz Mercedez”, do të ishte se si ka mundësi që makina më e sigurt në botë nga cilësia dhe garancia teknike, mund të shkaktojë një plagë të tillë të thellë dhe vdekjeprurëse?
Si mundet që gjithë xhamat anësorë të dyerve të makinës kanë pësuar veçse thyerje sipërfaqësore, ndërsa xhami i baxhës së automjetit tip “Mercedez Benz” të thyhet dhe të shkaktojë një çarje kaq të madhe? Si mundet një tip makine me garanci dhe cilësi sigurie, nga më të mëdhatë në botë, të shkaktojë plagë kaq të mëdha në kokë? Si mundet që në xhamin e baxhës së makinës gjendet një fije floku dhe nuk gjendet asnjë sasi gjaku i viktimës? Pse akoma Shoqëria e Sigurimeve nuk ka paguar dëmin e automjetit “Mercedes Benz”, targa AA003HN?

A mos është arsyeja kryesore se shoqëria e sigurimeve nuk është e bindur se një makinë e tillë, me garanci teknike, nuk mund të shkaktonte një vdekje të tillë? Apo kanë fakte se nuk ka qenë nga aksidenti, pra që makina paska garanci teknike; apo ata hezitojnë të thonë se nuk ka ardhur nga kjo përmbysje e lehtë, por nga diçka para aksidentit të sajuar? A janë zbardhur tabulatet e zotit Olldashi? Çfarë ka thënë ai në momentet e fundit të jetës?

A mund të jetë goditur nga një makinë tjetër? Si u zhduk portofoli i zotit Olldashi? Pse akoma nuk dihet se kush mund ta ketë marrë? Vështirë të besohet se personi që ka marrë portofolin atë natë të jetë një person i zakonshëm! Prokuroria nuk mund të mbyllë hetimin pa gjetur “hajdutin” e portofolit, pasi pas atij mund të jetë “dikushi”.
Dhe ky “dikushi” duhet gjetur. Mbrëmë, një zyrtar i Prokurorisë tha se “Grupi hetimor është drejt fazës përfundimtare të mbylljes së hetimit. Do dalim me përfundime konkrete. Ndërsa në lidhje me zhdukjen e portofolit të zotit Olldashi, është duke hetuar policia”.

Pra, akoma nuk është gjetur ai “dikushi” që ka marrë portofolin!
Përfundimet e akt-ekspertimit autoteknik
-Gjatë këqyrjes së pjesës së brendshme të mjetit, pasi u hap kofano e tij u konstatua se depozita e alkoolit të frenave ishte e zbrazët. U verifikua se kjo depozitë pas përplasjes nuk është e çarë dhe alkooli ka rrjedhur pasi mjeti është përmbysur.

-Mjeti pasi ka përshkuar rreth 11 m me gomat e krahut të djathtë në bankinë, ka dalë nga rruga e shpatit, pjerrësia e të cilit është mbi 45 gradë. Pasi goma e parë e krahut të djathtë ka dalë nga rruga, mjeti ka pësuar zhvendosje të pjesës së pasme djathtas, gjë që shpjegon faktin se përse kemi një degëzim të gjurmëve të këtij krahu.

-Pasi ka ecur rreth 9 metra, mjeti me gjithë pjerrësinë e shpatit, ka ndaluar në vendin ku shkurret janë të padëmtuara. I ndodhur në këtë pozicion, duke qenë se në të majtë të tij pjerrësia e shpatit është rreth 90 gradë, pasi është skarpata e kanalit kullues të rrugës së varrezave, mjeti ka filluar rrokullisjen.

-Nga zotërimi i kësaj energjie potenciale, në momentin e rrotullimit të benzit, mjeti ngrihet përsëri në një lartësi të vogël si rezultat i përplasjes së parë, pa pasur mundësi rrotullimi dhe gjatë kohës së kontaktit të dytë me tokën, koka e drejtuesit të mjetit kapet nga dritarja e tavanit ana e djathtë, ku kanë mbetur dhe flokët. Ky është dhe momenti fatal ku drejtuesi i mjetit për shkak të mosvendosjes së rripit të sigurimit, bën lëvizje në funksion të rrotullimit të mjetit dhe koka e tij bie në kontakt me tehet e mprehta të kësaj dritareje në pjesën e sipërme të kabinës, e cila i shkakton dëmtime vdekjeprurëse drejtuesit të mjetit për shkak dhe të peshës së vetë mjetit.

-Devijimi në kthesë mund të ketë ndodhur për tejkalim të moderuar të shpejtësisë, në lidhje me gjendjen dhe ecurinë vijëpërkulur të rrugës, por akoma mund të hipotetizohet që faktorë të panjohur mund t’i kenë dhënë shkak devijimit: Kufizohemi këtu në shënimin e një shqyrtimi të rëndësishëm.