Doktoresha Hasani bëhet asistente në saje të falsifikimit të datëlindjes!

Doktoresha Hasani bëhet asistente në saje të falsifikimit të datëlindjes!

Doktoresha Hasani bëhet asistente në saje të falsifikimit të datëlindjes!Doktoresha Antigona Hasani ka zgjedhur ta falsifikojë datëlindjen e saj me qëllim që duke u bërë më e re në moshë të pranohet si profesor-asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës (UP).

Ajo ka lindur më 12 dhjetor 1962 në Prishtinë, por pothuajse në të gjitha dokumentet e saja tashmë data e lindjes i figuron 12 dhjetor 1963.

Veprimin për tu bërë rreth një vit më e re doktoresha Hasani e ka bërë për ta plotësuar njërin nga kriteret që parasheh statuti i UP-së, përkatësisht, saktësimin se kandidatët që duan të zgjedhën në titullin asistent-profesor në ndonjërën nga fakultetet e këtij universiteti duhet t’i kenë më pak se pesëdhjetë vjet.

Para një kohe Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës ka hapur konkurs për staf të rregullt, përkatësisht për pranimin e një profesor-asistenti për lëndën Anesteziologji dhe Reaniminim.

“Kandidati që pretendon të zgjidhet në gradën asistent-profesor duhet t’i ketë më pak se pesëdhjetë vjet”, thuhet në nenin 177, pika 1.6, e statutit të Universitetit të Prishtinës, ku flitet për kriteret që duhet t’i plotësojë një person për tu zgjedhur në titullin e profesorit asistent.

Datëlindje të ndryshme nëpër dokumente
Gjatë një hulumtimi të gjatë që ka bërë Indeksonline, ka siguruar të gjitha dokumentet që dëshmojnë datëlindje të ndryshme të doktoreshës Hasani nëpër dokumente të ndryshme.

Ekipi i Indeksonline ka arritur ta gjejë (por nuk iu ka lejuar fotografimi) Librin Amzë në Spitalin Gjinekologjik të Prishtinës, në të cilin figurojnë të gjitha lindjet e vitit 1962.

Siç shihet në këtë libër, e ëma e doktoreshës Hasani, Xhezide Hasani, e ka lindur të bijën e saj me 12 dhjetor 1962, në ora 3:55, me peshë 2.60 kilogram.

Por, në shkollën fillore e ka regjistruar me një datëlindje tjetër. Në librin amë të shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku Hasani e ka kryer shkollimin fillor figuron se ajo ka lindur me 12 janar 1963. Në këtë libër që mbanë numër personal 381/3 dhe numër të regjistrimit 39/1, figuron po ashtu se klasën e parë ajo e ka nisur me 5 shtator 1969.

Ndërkaq, në dokumentet tjera, si certifikata e lindjes e Republikës së Kosovës apo diploma e studimeve të doktoratës, që është lëshuar nga një universitet në Maqedoni, të cilat gjithashtu i ka siguruar Indeksonline, asaj i figuron “datëlindja e re”, 12 dhjetor 1963.

Nga burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, Indeksonline ka mësuar se me 12 gusht të këtij viti ajo e ka nxjerrë certifikatën e lindjes, ndërsa me 28 tetor ekstraktin e lindjes. Në të dyja i figuron ”datëlindja e re”.
Ekipi i portalit ka arritur gjithashtu të shoh Librin Amzë ku është re regjistruar doktoresha Hasani, e ku siç shihet, datëlindja e saj është e ndryshuar, por personeli përgjegjës në Bashkësinë Lokale, ku ekziston Libri Amzë nuk kanë lejuar fotografimin e tij.
Zgjidhet asistente pa meritë

Si do qoftë, edhe nëse do të ishte më e re se pesëdhjetë vjet, doktoresha në fjalë nuk do të mund të pranohej si profesor-asistent në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo së paku nëse do të respektohej statuti i UP-së nga fakulteti dhe Universiteti i Prishtinës.

Statuti i këtij universiteti në nenin 177, pika 1,6 thotë se, kandidati për tu zgjedhur në titullin profesor asistent “duhet të ketë së paku tri vite përvojë pune në procesin mësimor në Arsimin e lartë”. Ndërkaq, gjatë hulumtimit Indeksonline ka mësuar se ajo asnjëherë nuk ka pasur kontratë me Fakultetin e Mjekësisë si profesorësh e rregullt.

Ndërsa, përkitazi me këtë, për këtë pozitë ka konkurruar edhe doktoresha Qamile Morina, e cila, ndonëse është më e moshuar sesa kolegia e saj, Antigona Hasani, ajo ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë si ligjëruese për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht, përkatësisht ishte asistente e rregullt nga viti 1990 deri në vitin 2007, kur ishte larguar nga ish-rektori i UP-së, Enver Hasani, në kohën kur ai po e “pastronte” universitetin nga profesorët që sipas tij, nuk kishin doktoratë të përfunduar.

Hasani: Jam e pastër si loti!

Pavarësisht nga kjo, vetë doktoresha Antigona Hasani mohon çdo mundësi që t’i ketë ndryshuar vitin e lindjes, ndërkaq, thekson se ka hyrë shumë e re në shkollë, e për ta arritur këtë, nëna e saj e ka regjistruar më të moshuar se që është realisht.

“Unë jam zgjedhur. Kjo çështje është kryer, kam kaluar edhe në senat edhe në këshill mësimor-shkencor. Unë ende nuk i kam bërë pesëdhjetë vjet (biseda gjatë nëntorit 2013). Kam lindur më 12.12.1963, do me thënë me 12 dhjetor (2013) i bëjë 50”, thotë ajo, duke treguar dokumente të reja e të vjetra ku figuron “datëlindja e re”.

Ajo thotë se është hera e parë që në Universitetin e Prishtinës organizohen zgjedhjet korrekte dhe se janë zgjedhur personat adekuat.

“Unë e di kush është kundërkandidatja ime, që ka qenë një doktoreshë por mua më vjen shumë keq, ajo nuk ka kurrfarë baze që të zgjidhet, sepse, së pari ajo nuk i ka plotësuar kushtet, ishim ne të dy por konkursi ka qenë për një person”, ka thënë ajo.