andin_hoti

Djali i Ukshin Hotit i bashkohet PDK-së

Rreth 150 anëtarë të rinj i janë bashkuar të dielën Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Rahovec, në mesin e të cilëve edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit të shquar Ukshin Hoti. Të gjitha këto aderime, po bëhen në kohën e fushatës zgjedhore të PDK-së në degën e Rahovecit.

Kadri Veseli, i cili për herë të parë foli si anëtar i PDK-së, tha se po sheh një karvan të gjatë të njerëzve të cilët kanë vendosur t’i bashkëngjiten kësaj partie, duke pohuar se është nder të jesh pjesë e saj. Duke folur për konceptin e partisë të cilës i takon,ai tha se PDK është forca lëvizëse në zhvillimin e shtetësisë sonë, duke e quajtur si një akt të veçantë gatishmërinë e anëtarëve të rinj që t’i bashkëngjiten kësaj partie, duke pranuar përgjegjësi për jetën dhe familjet e tyre, përmes vizionit të PDK-së.

Ndërsa, Hajredin Kuçi, nënkryetar i PDK-së, njëherit dhe zëvendëskryeministër i Kosovës tha se që 13 vite të punës, PDK ka pasur mbështetjen e plotë të qytetarëve të Rahovecit. Ai tha se aderimi i 150 anëtarëve të rinj, tregon se PDK ka qenë në rrugë të mbarë. Anëtarëve të rinj, Kuçi iu tha se kanë bërë zgjedhjen e duhur, duke pohuar se Kadri Veseli ka pasur këmbën e mbarë.

“Sot u përmenden shumë figura dhe sot unë do t’i veçoj dy, Kadri Veselin dhe Andin Ukshin Hotin. Dua t’i veçoj të dytë dhe t’ju them kështu, se ëndrrat tuaja nuk mund t’i realizoni vetëm në PDK. Ëndrrat tuaja janë për tërë shtetin e Kosovës, për tërë kombin shqiptar. Filozofia e Ukshin Hotit, është filozofi kombëtare me ndikim në politikën ndërkombëtare. Por nëse ne arrijmë që të jemi krah i asaj filozofie, unë mendoj se Andini do ta ndien vetën mirë. Ukshin Hoti nuk është vetëm i juaji. Është i tërë kombit shqiptar. Është i tërë atyre që kanë filozofi politike. Kadri Veseli me punën dhe angazhimin e tij ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe sot po bën mirë që po punon në PDK, për ta forcuar shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Kuçi, ndërsa citon Kosovapress.