Ditmir Bushati: Të hetohet marrëveshja e detit

Ditmir Bushati: Të hetohet marrëveshja e detit

 Ditmir Bushati: Të hetohet marrëveshja e detit Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka ftuar prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla të hapë hetimet për mënyrën se si është negociuar marrëveshja e detit me Greqinë, nga kryetari aktual i opozitës Lulzim Basha, dikur ministër i Jashtëm, i cili hodhi firmën në dokumentin e rrëzuar më pas nga Gjykata jonë Kushtetuese.

Mbi bazën e vendimit të Kushtetueses, sipas të cilës në rastin e marrëveshjes së detit nuk janë mbrojtur interesat tona kombëtare, duke i dhënë Greqisë territor, prokuroria, sipas ministrit Bushati, mund të hetojë nëse është shkelur apo jo ligji 210 i Kodit Penal.

“Sa i përket nënshkruesve të marrëveshjes, besoj se kryeprokurori ka dokumentacionin përkatës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, praktikën ndërkombëtare që konsiderohet e shkelur nga kjo gjykatë dhe mund t’i referohet Kodit Penal. Sa i përiket personave të përfshirë në negocimin e marrëveshjes, do të merren masat përkatëse, ndërsa për nënshkruesin unë pres me qetësi vendimin e prokurorisë”, deklaroi Bushati.

Neni 210 që i referohet ministri Bushati parashikon dënimin me burg nga 5 deri në 10 vjet për marrëveshjet e bëra me shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territoreve.

“Deri në minutën e fundit për statusin”
Bushati: Po lobojmë. E meritojmë, por çdo gjë mund të ndodhë

Jashtë vëmendjes nuk mbeti as çështja e ditës, statusi i vendit kandidat, kur deputeti socialist Ben Blushi pyeti mbi ndikimin që pritet të ketë rezultati i zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

“Skepticizmi i disa popujve të Europës së bashkuar në zgjedhjet e fundit mund të ketë ndikim në raport me ne. A ka arsye që ky rezultat në zgjedhjet evropiane të ketë impakt tek ne në qershor”, pyeti Blushi.

“Duket që do kemi koalicion të madh në PE. Atë që shohim për një pjesë të vendeve të BE, mes konservatorëve dhe kristian-demokratëve”, u përgjigj Bushati.

Ndërsa nuk pritet që rezultati i euroskeptikëve të ketë ndikim në Danimarkë dhe Angli, Franca mbetet shqetësim, vend nga i cili Shqipëria do të marrë sinjalet e para të qëndrimit në udhëtimin e kreut të qeverisë në 11 qershor, disa ditë pasi Komisioni të ketë publikuar progres-raportin dhe pritshmërisht rekomandimin për statusin e vendit kandidat.

“Se cili do jetë raporti i vendeve anëtare, kjo u mbetet atyre dhe nuk më takon mua të flasë në emër të tyre. Sesa do të ndikojë, ka opinione e qëndrime të ndryshme. Ne do vijojmë kontaktet deri në minutën e fundit që BE do të marrë këtë vendim”, shtoi Bushati. / Top Channel/