Dieta pa mëngjes

Dieta pa mëngjes

Personat që përpiqen të bien nga pesha duke mos ngrënë mëngjes, krijojnë një efekt të kundërt në organizëm.

Një grup shkencëtarësh nga Kolegji Mbretëror i Londrës paraqitën rezultatet e një studimi ku thuhet se kur njeriu nuk ha mëngjes truri i tij favorizon më shumë ushqimet me nivele të larta yndyrnash.

Në studim theksohet se duke shmangur mëngjesin, njerëzit bëjnë që truri të krijojë preferencë për ushqime me kalori të larta, dhe e kundërta ndodh kur njerëzit hanë mëngjes.

Një grup ekspertësh në Britani, mori në shqyrtim 20 persona të shëndetshëm e me peshë normale dhe i ndau në dy grupe. Pjestarët e njërit grup hanin mëngjes, ndërsa atë të grupit tjetër, jo. Në të dyja rastet, këta persona iu nështruan skanimit të trurit, ndërsa përpara u viheshin pamje e fotografi ushqimesh me kalori të ulta si mish pule, peshk ose perime, ndërkohë që në fotograti të tjera tregoheshin pamje ushqimesh me kalori të lartë si çokollata, pica dhe ëmbëlsira.

Rezultatet zbuluan se zonat e trurit të quajtura Qendra Shpërblyese reaguan më shumë ndaj ushqimeve me kalori të lartë tek personat që kishin shmangur mëngjesin.

Ekspertët arritën në përfundimin se shmangja e mëngjesit nuk është mënyrë e efektshme për të rënë nga pesha, sepse truri dhe trupi nxiten më shumë për të marrë kaloritë e humbura.