Diçka është kalbur në Evropë

Diçka është kalbur në Evropë

Diçka është kalbur në EvropëEshtë një shuplakë në fytyrën e establishmentit evropian. Rreth 30 për qind e vendeve në parlamentin evropian të sapozgjedhur u shkojnë partive që janë kundër vetë projektit të Evropës.

Pra 6 për qind më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Dhe euroskeptikët i kanë bastionet në dy shtetet më të rëndësishme të BE pas Gjermanisë: Britani dhe Francë.
Po, diçka është kalbur në Evropë. Dhe reagimi i politikanëve në blloqet e mëdhenj politikë e bën të qartë se ku është problemi. Përballë forcës së popullistëve anti-BE, thonë politikanët në të dy anët e spektrit, ne do të na duhet të punojmë më fort së bashku. Kjo do të thotë: Establishmenti po forcon radhët dhe po bën një vesh shurdh.

Parlamenti Evropian dëshiron të mbizotërojë mbi qeveritë e shteteve, ndërkohë që qeveritë e shteteve e shohin delegjitimimin e BE, me kënaqësinë që buron nga fatkeqësia e tjetrit.

Partitë e qendrës në të majtë e në të djathtë janë duke lyer në mure fantazmat e ekstremizmit të djathtë. Ata mendojnë që është në interesin e tyre të veprojnë kështu.

Popullistët janë si fëmijët e rrugës në Evropë – jo nga ata fëmijë me të cilët do të doje të luaje. E megjithatë, partitë kundër establishmentit nuk janë aspak një bllok i bashkuar. Për shembull, Fronti Nacional i Marine Le Penit, në Francë, është një parti e ekstremit të djathtë, e cila vetëm kohët e fundit e ndërroi antisemitizmin, me një armiqësi ndaj islamit më të pranueshme nga shoqëria.

Por UKIP në Britani lëviz brenda spektrit të politikës konservatore: Ajo është kundër imigracionit dhe kundër anëtarësimit të Britanisë në BE, por nuk është raciste apo nacionaliste ekstreme, dhe nuk do të ketë të bëjë fare me Le Penin.

Për partinë gjermane AfD, nga ana tjetër, armiqësia e UKIP ndaj Evropës është shumë e tepruar. AfD kritikon euron pikërisht sepse beson që monedha e përbashkët po e shkatërron BE-në.

Thjeshtë përjashtimi i përfaqësuesve të partive populliste është kundërproduktiv.

Eshtë i barazvlefshëm me injorimin e votuesve. Këta janë humbësit e Evropës moderne, që tallen prej atyre që fitojnë më shumë dhe janë më të kualifikuar.

Por, së pari, Evropa nuk duhet të prodhojë kaq shumë humbës, dhe së dyti, demokracitë, ndryshe diktaturat nuk munden që të largojnë njerëzit nga ekuacioni, thjeshtë sepse nuk u shkon për shtat.

Evropa duhet t’i kushtojë vëmendje atij 30 përqindëshi, nëse do që projekti i BE të mbijetojë.

Pjesë e rëndësishme e kësaj është rikthimi i kompetencave vendim-marrëse tek parlamentet kombëtarë, rajonalë dhe lokalë. Sërish, nuk ka nevojë të thuhet që BE s’ka pse përfshihet në çështje të tilla si forma e kastravecave dhe sa shumë rrymë elektrike përdorin llampat: një treg i përbashkët kërkon standarte uniformë.

Në raste të tillë, një legjislacion i vetëm i BE në vend të 28 legjislacioneve të qeverive anëtare nënkupton më pak, dhe jo më shumë burokraci.

Por në fusha të tjera, si taksimi, shërbimet socialë, apo arsimi, Brukseli nuk duhet të përfshihet. Përkundrazi, këtu duhet të gjejë zbatim parimi i sistemeve konkurrues. Dhe nuk duhet të jetë tabu të ngrihet pyetja nëse euro e ndihmon apo e pengon konkurrencën.

Këto zgjedhje sollën qartësi për një sërë çështjesh, duke përfshirë faktin që evropianët nuk duan një Union edhe më të ngushtë, të paktën jo për momentin. Dhe në të ardhmen e afërt nuk do të ketë Evropë federale të bazuar mbi shembullin gjerman, siç kanë propozuar disa politikanë gjermanë. Jo vetëm Britania është kundër kësaj – francezët nuk e duan, as italianët, për të mos përmendur “Evropën e re” të lindjes.

Martin Schulz dhe Jean-Claude Juncker mund të besojnë se e ardhmja e Evropës varet nga njëri prej tyre që bëhet president i Komisionit, gjë që do të forconte kompetencat e Parlamentit Evropian, por nuk do të ndryshonte asgjë.

Në fakt, e ardhmja e Evropës varet nga siguria që do të ofrojë në politikën e jashtme, nga një politikë energjetike e përbashkët dhe solide, nga rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës, si dhe nga më shumë demokraci.

Çdo gjë që u shërben këtyre objektivave ka kuptim, dhe çdo gjë që nuk u shërben nuk ka kuptim, edhe pse tani po na ofrohet me një dozë patosi.

Alan Posener/Die Welt/Bota.al