Dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi Heqja e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë nga xhandarmëria serbe ka rrezikuar gjithçka dhe natyrisht edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kështu vlerësojnë në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.

“Ky veprim ka rrezikuar çdo gjë dhe është shumë normale që ka rrezikuar edhe dialogun, por fatmirësisht dhe fatkeqësisht njëkohësisht po ndodh pa fajin tonë, po keqpërdoret gatishmëria jonë që ne kemi dëshmuar në vazhdimësi se jemi për zgjidhjen e problemeve me dialog, që është një mjet emancipues.

Përcaktimi jonë është shumë i qartë, Kosova do të jetë Kosovë evropiane dhe do të hapë perspektivën tonë drejt Bashkimit Evropian. Po shihet qartë që Serbia ka mbetur mbrapa dhe me metoda
të demoduara dhe të rrezikshme që janë përdor në të kaluarën e errët”, ka deklaruar Adem Grabovci nga PDK.

Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, kur është pyetur nëse duhet ose jo të ndërpriten bisedimet, ka thënë se zëri i institucioneve të Kosovës duhet të dëgjohet.

“Unë nuk po jap një mendim të prerë a duhet të ndërpriten bisedimet, por po e them që zëri i institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të dëgjohet dhe duhet të jetë shumë kategorik, që edhe në atë pjesë të implementohen standarde, sikurse është tendenca për standarde të larta të qytetarëve dhe të komunitetit jo shumicë në Kosovë. Kur është kështu, pse të mos implementohen standarde të tilla edhe në Preshevë”, ka thënë Ferati.

Ndërsa nënkryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se më e pakta që do të duhej të kishte bërë qeveria e Kosovës ishte kushtëzimi i vazhdimit të mëtejshëm të dialogut me Serbinë nëpërmjet mosheqjes së lapidarit përkujtimor të UÇPMB-së, por sipas tij kjo nuk ka ndodhur.

“Mendoj që shtetin tonë nuk duhet t’ia lëmë matrapazëve për pasurim personal, sepse ata po e shfrytëzojnë shtetin vetëm për këtë gjë. Kurse kur po vjen puna tek mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve, ata po ju thonë shqiptarëve: bëjani qarën vetvetes. Kjo është e papranueshme, sepse shteti ndërtohet për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe qeveria nuk ka qenë në krye të përgjegjësisë”, ka thënë Konjufca.

Në anën tjetër, një ditë pasi xhandarmëria serbe largoi memorialin e dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, në Prizren dhe Kllokot të Kosovës janë dëmtuar disa varreza ortodokse serbe.

Ndonëse deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për dëmtimin e tyre, kjo ka ngjallur reagimin e institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë, të cilat e kanë dënuar aktin dhe kanë ftuar qytetarët për maturi dhe për të respektuar identitetin e të tjerëv