Dhuna ndaj Strazimirit, Halimi: Procesi po zvarritet qëllimisht

Dhuna ndaj Strazimirit, Halimi: Procesi po zvarritet qëllimisht

Dhuna ndaj Strazimirit, Halimi: Procesi po zvarritet qëllimishtParaditen e sotme është mbajtur seanca në ngarkim të deputeteve të PS, Pjerin Ndreu e Arben Ndoka, nën akuzën e dhunës fizike ndaj deputetit demokrat Genti Strazimiri, në ambientet e Gjykatës së Lartë, ku ka dëshmuar deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu.

Gjatë dëshmisë së saj, deputetja Spahiu konfirmoi se në Kuvend ka parë deputetin e PS-së Arben Ndoka që ka goditur deputetin e PD-së Gent Strazimiri. “Ndodhesha me disa libra në dorë duke vajtur në ambientet e biblotekës së Kuvendit.

Fillimisht pashë deputetin Ndoka që i’u afrua deputetit Strazimiri, e cila fillimisht mu duk si afrim i tepruar, por më pas pashë që e goditi”, deklaroi në Gjykatë deputetja Klodiana Spahiu.

E pyetur nga Prokurori i çështjes nëse kishte parë ndonjë deputet tjetër të kryente akte dhune ndaj Strazimirit, Spahiu tha: “Nuk kam arritur të shquaj goditje, por një masë të madhe deputetësh”. Pas përfundimit të seancës gjyqësore, deputeti Eduart Halimi, në një prononcim për mediat tha se procesi po zvarritet qëllimisht.

“Ishim sot bashkë me disa kolegë për të ndjekur nga afër procesin gjyqësor i cili po zgjatet e zvarritet, si pasojë e mungesës së qëllimshme të disa deputetëve, të cilët janë thirrur nga gjykata. Ajo që bie në sy është përpjekja e avokatëve dhe e kolegëve që duan të bëjnë avokatin, e dy deputetëve që kryen krimin e goditjes për shkak të detyrës në ambientet e parlamentit”, tha Halimi jashtë ambienteve të Gjykatës së Lartë.

Në seancë nuk kanë qënë të pranishëm të pandehurit Ndoka e Ndreu, por përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. /albeu/