Dhoma e Posaçme vendos për të ardhmen e “Trepçës”

Dhoma e Posaçme vendos për të ardhmen e “Trepçës”

Dhoma e Posaçme vendos për të ardhmen e “Trepçës”Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ende nuk ka marrë vendim për fatin e Kompleksit metalurgjik “Trepçës”, ndonëse afati i fundit kur Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë e obliguar që të dorëzojë planin e riorganizimit të kësaj ndërmarrjeje ka qenë 2 shkurti.

Në vend të kësaj, AKP-ja ka kërkuar zgjatjen e këtij afatit duke u bazuar në ndryshimet e ligjit që janë bërë nga Kuvendi i Kosovës. Ndryshimi i këtij ligji ishte bërë në procedura të përshpejtuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, shkruan gazeta Koha Ditore.

Kryetari i Dhomës së Posaçme, Sahit Sulejmani, ka thënë të kenë pranuar një kërkesë nga AKP-ja rreth “Trepçës” dhe ligjit të ri të miratuar nga Kuvendi.

Ai nuk ka mundur të tregojë nëse afati i vendosur për datën 2 shkurt do të ketë ndonjë efekt për “Trepçën” apo nëse me automatizëm ky afat bëhet i pavlefshëm me miratimin e ndryshimeve ligjore.

Të rikujtojmë se javë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, pasi ka hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se kombinatit metalurgjik “Trepça”, në kuadër të diskutimeve për ta shndërruar këtë kombinat në ndërmarrje publike.

Miratimi i ligjit ka siguruar votat e partive të koalicionit qeverisës, por jo edhe të atyre në opozitë.

Çështja e statusit të kombinatit është bërë edhe shkas i protestave të partive politike në opozitë më 27 janar, që kanë eskaluar në përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.