nazim bllaca

Deri më 30 nëntor gati aktakuza për Bllacën

Nazim Bllaca do të mbahet në arrest shtëpiak vetëm deri më 30 nëntor, kur mbushet një vit i plotë nga nisja e hetimeve kundër tij. Ndërkohë Gjykata e Qarkut në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për një muaj arrestin shtëpiak, deri më 30 nëntor, Bllacës, i cili për të paktën një vepër penale është shpallur dëshmitar bashkëpunues, bëjnë të ditur mediat.

Burime nga Prokuroria Speciale e Kosovës që kanë bërë të ditur se deri më 30 nëntor aktakuza për “rastin Bllaca” do të jetë gati. Nërkaq të gjithë ata persona që janë akuzuar nga Bllaca do të akuzohen edhe nga Prokuroria, sepse, sipas burimeve, dëshmitë dhe provat që ka ofruar ish agjenti i SHIK ut i vetakuzuar për “vrasje, plagosje, rrahje brutale, shantazhe” e vepra të tjera janë të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë.

“Zyrat e prokurorisë tanimë janë duke konfirmuar se hetimi është duke përfunduar me intervistat e fundit të dëshmitarëve dhe mbledhja e provave është duke përfunduar”, ka thënë trupi gjykues në vendimin për vazhdimin e arrestit shtëpiak.

Në vendimin e gjykatës saktësohet se Nazim Bllaca është nën hetime për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe për pjesëmarrjen në aktivitetet e organizatës kriminale SHIK, e cila supozohet të ketë qenë e mandatar i vrasjeve dhe kërcënimeve kundër ?tradhtarëve? dhe bashkëpunëtorëve të regjimit serb dhe kundërshtarëve politikë pas luftës në Kosovë.

“Hetimet janë duke zgjatur prej 11 muajsh dhe gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova edhe kundër disa të pandehurve të tjerë, megjithëse disa elemente përfundimtare, si provat balistike, nuk janë akoma në dispozicion të prokurorit”, thuhet në vendimin e gjykatës. Në arsyetim për vazhdimin e arrestit gjykata ka konstatuar se ka elemente konkrete që tregojnë se i pandehuri do të arratisej nëse do t’i hiqej masa.

“Interesimi për deklaratat publike të të dyshuarit, numri dhe natyra serioze e veprave penale të pretenduara kundër tij, si dhe të përmendurit me emra haptas të të tjerëve si bashkëkryerës të cilët mund të hakmerren, paraqesin motivin e qartë për të dyshuarin që të ikë nga Kosova me qëllim të shmangies së ndjekjes dhe hakmarrjes personale, posaçërisht duke pasur parasysh kërcënimet e shumta drejtuar z.

Bllaca që nga fillimi i hetimeve”, pohon gjykata. Gjykata e Qarkut ka vërtetuar dhe verifikuar ekzistimin e dyshimit të bazuar se i dyshuari ka kryer vepër penale. Kjo gjykatë ka thënë se besueshmëria e Nazim Bllacës është forcuar gjatë këtyre 11 muajve të fundit nga mbledhja e provave të tërthorta dhe direkte që mbështesin deklaratat e tij.

Burime brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë bërë të ditur së më 25 shtator ka filluar hartimi i aktakuzës bazuar në dëshmitë dhe provat materiale të ofruara nga Nazim Bllaca dhe në veprimet hetimore të gjetjes së provave shtesë pas daljes publike të Bllacës.

Të gjithë njerëzit e përmendur si të përfshirë në vepra kriminale, që nga Azem Syla, do të jenë të akuzuar kush më lehtë e kush më rëndë, varësisht nga roli që kanë pasur në krimet e kryera nga viti 1999 deri në vitin 2007.

Gjithashtu Gjykata i beson Nazim Bllacës bazuar në deklaratat e tij të dhëna autoriteteve hetimore dhe medieve, i cili kurrë nuk është përpjekur që ta fshehë apo ta zvogëlojë përgjegjësinë e tij për kryerjen e vrasjeve dhe sulmeve të përshkuara nga ai dhe kurrë nuk është munduar që të gjejë arsyetime për krimet e tij.