Derbi i Londrës: Tottenham 110 mln - 0 mln Arsenal

Derbi i Londrës: Tottenham 110 mln – 0 mln Arsenal

Derbi i Londrës: Tottenham 110 mln - 0 mln ArsenalTransferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, Gareth Bale, është shumë pranë zyrtarizimit të kalimit te Real Madrid.

Këtë e pranoi dje edhe vetë tekniku i Tottenham Andre Villas Boas, i cili u shpreh se transferimi i tij është çështje orësh. Por klubi londinez po i shfrytëzon në mënyrën më të mirë paratë e përfituara nga shitja e uellsianit duke sjellë në skuadër emra me të vërtetë tepër cilësorë.

Pasi afruan në skuadër Roberto Soldado dhe Paulinho, Tottenham ka shpenzuar rreth 50 milionë sterlina të tjera për të afruar në skuadër Erik Lamela dhe Christian Eriksen, dy prej talenteve më cilësorë për momentin në Europë, por edhe mbrojtësin rumun të Steaua Bukuresht Vlad Chiriches.

Që prej fillimit të merkatos Tottenham ka shpenzuar rreth 110 milionë sterlina duke qënë një prej klubeve më aktivë, ndërsa nga ana tjetër rivalët e tyre në Londrën Veriore, Arsenal, deri tani nuk ka shpenzuar asnjë cent. Edhe dy afrimet që ka bërë deri tani kanë ardhur me parametra 0: Flamini dhe Sanogo.

Por Arsene Wenger pritet të bëjë goditjet e tij në orët e fundit të merkatos pasi nëse qëndron duarkryq jo vetëm që derbin e Londrës Veriore nuk mund ta fitojë por rrezikon edhe objektivat sezonalë.