Deputetët shqyrtojnë sot Projektligjin për ndërmarrjet publike

Deputetët shqyrtojnë sot Projektligjin për ndërmarrjet publikeProjektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, do të vihet sërish sot për shqyrtim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por me këtë ligj nuk do të zgjidhet statusi i kombinatit metalurgjik “Trepça” ashtu siç parashihej në projektligjin paraprak, i cili u tërhoq nga qeveria ditën kur pritej shqyrtimi në Kuvend.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që me këtë ligj të krijojë vetëm bazën ligjore që statusi i kombinatit metalurgjik “Trepça” të rregullohet me strategji dhe ligj të veçantë.

Ky projektligj ishte miratuar fillimisht në Qeverinë e Kosovës dhe kishte për qëllim shndërrimin e kësaj ndërmarrje nga shoqërore në publike, por si i tillë ai nuk doli fare para deputetëve për shqyrtim dhe miratim, ndonëse seanca ishte thirrur për një gjë të tillë.

Qeveria e Kosovës brenda ditës e kishte tërhequr këtë projektligj nga rendi i ditës dhe procedoi një projektligj tjetër, atë për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për riorganizimin dhe ndryshimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurive të tyre.

Tërheqja e projektligjit thuhet të ketë ndodhur për shkak të pamundësisë që shteti ta marrë menjëherë nën përgjegjësi “Trepçën”, shkaku i mungesës së njohurive për borxhet e pretenduara të “Trepçës” që përmenden të jenë diku deri në 1.4 miliard euro.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike tani riprocedohet nga qeveria me ndryshime dhe parasheh që ai të krijojë bazën ligjore që statusi i kombinatit metalurgjik “Trepça” të rregullohet me strategji dhe ligj të veçantë.

Rikujtojmë se me kërkesën për zgjidheje të statusit të kombinatit metalurgjik “Trepça”, respektivisht me kërkesën që ky kombinat të bartet në pronësi të qeverisë, është protestuar dy herë radhazi para Qeverisë së Kosovës, protesta këto që edhe kanë eskaluar në dhunë të dyanshme, nga protestuesit dhe nga policia. Tani është duke u përkatitur serish një protestë e këtillë gjithëpopullore.