petrit rrahmani -foto tex.kryesor 2_492919_thumb_large

Depozitat e qytetarëve, investohen jashtë vendit

Bankat në Kosovë, gjatë vitit 2010, kanë investuar jashtë vendit 173.4 milionë euro depozita të qytetarëve, duke ngadalësuar kështu kredidhënien brenda vendit. Në anën tjetër, sipas raportit të Bankës Qendrore, nuk ka pasur rrezik të likuiditetit dhe se bankat kanë mundur të lëshojnë kredi. Aktualisht, raporti kredi-depozita është 75 për qind, prej 80 për qind sa është limiti.

Bankat komerciale në Kosovë po investojnë miliona euro depozita të qytetarëve jashtë vendit, duke ngadalësuar kështu kredidhënien për ekonominë kosovare. Vetëm gjatë vitit 2010, sipas raportit të Bankës Qendrore, në letra me vlerë jashtë vendit, bankat investuan plotë 173.4 milionë euro, që është 78.8 për qind më shume se vitin paraprak.

“Rritjes së investimeve në letra me vlerë i ka kontribuar edhe ngadalësimi i rritjes se kredidhënies brenda vendit, duke krijuar kështu më tepër mjetë në dispozicion për t’u investuar në tregjet e jashtme”, thuhet në raport. Nga bankat kjo kryesisht arsyetohet nga rreziku i likuiditetit, përfshirë këtu rrezikun për kthimin e kredive dhe proceset e vonuara gjyqësore.

Megjithatë, raporti i fundit i BQK-së, hedh poshtë shumë nga këto pretendime. Sipas raportit, ka qenë edhe performanca e kënaqshme e tregjeve financiare në nivel global, faktor kyç që inkurajoj bankat të rrisin investimet në letra me vlerë.
Aty sqarohet se kredidhënia brenda këtij viti ka qenë brenda parametrave dhe bankat kanë mundur të lëshojnë edhe më shumë kredi. Aktualisht, raporti kredi-depozita është 75 për qind, prej 80 për qind sa është limiti.

Për më tepër, sipas të njëjtit raport, treguesit e likuiditetit flasin për një nivel në vazhdimësi të kënaqshëm të likuiditetit në sistemin bankar në Kosovë. Madje, raporti nuk e paraqet problem as rritjen më të shpejtë të kredive krahasuar me rritjen e depozitave gjatë vitit 2010.