11dashuri_1108111446_1

Dashuri on- line, si të mos zhgënjehemi

Me zhvillimin e teknologjisë së internetit dhe botës së tij të gjithë janë bërë pjesë, duke përfituar jo vetëm nga sigurimi informativ por edhe ai zbavitës.

Chatimi dhe takimet on-line janë bërë pjesë e pandashme e argëtimit të shoqërisë shqiptare e jo vetëm. Sa realizëm ka në dashuritë on-line dhe a duhet besuar gjithmonë? Midis relativitetit të faktit, mundësia ekziston deri diku nëse dini të bëni një surf të zgjuar…Në shekullin e 20-të teknologjia e internetit do të konsiderohet me të drejtën më absolute si një ndër arritjet më rezultative për mbarë njerëzimin.

Të mirat që erdhën nga interneti ishin informacioni dhe shpejtësia me të cilën sigurohej tek çdo njeri. Bollëku informativ të linte të kuptoje që në këtë sfidë të fundit të gjithë kishin arritur një mirëqenie të domosdoshme, një luks të paprovuar më parë. Fenomeni i teknologjisë së fundit “internet” trokiti me të njëjtën shpejtësi marramendëse edhe në Shqipëri duke servirur format më novatore “çudibërëse”.

Përveç informacionit, shqiptarët ashtu sikurse edhe të huajt filluan të shijojnë me të njëjtën shpejtësi edhe klubet e shumta shoqërore si facebook, hi5, jahoos, tagged etj me anë të të cilave jo vetëm që mund të krijojnë shoqëri të reja, por mund të jesh edhe shoku i të gjithëve falë mundësive dhe rrugëve të shumta që të ofrohen. Por të qenurit anëtari më simpatik në facebook, e klube të tilla nuk është e vetmja e mirë që siguroi interneti.

Komunikimi me njëri-tjetrin në kohën më reale përmes chatimit on-line ishte ajo që mori votat e të gjithëve. Pikërisht të chatuarit on-line dhe sidomos dating apo dashuritë on-line është edhe dritarja më interesante që ka siguruar bota e internetit, një dritare që të gjithë kanë filluar të vështrojnë.

Të chatuarit, jo më paragjykim

Jo më kot u ndala te fakti i të chaturit on-line, pasi aktualisht jo vetëm në mbarë botën, por edhe në Shqipëri fenomeni është shtrirë në hapësirë të pamasë. Të chatuarit është bërë një ndër zbavitjet më interesante jo vetëm për të rinjtë, por edhe për moshat e tjera. Kjo do të thotë që nevoja për të komunikuar tashmë i ka thyer barrierat e paragjykimit. Mania chat është një ndër manitë më të fundit, që ka kapur shqiptarët ku të gjithë, mesatarisht të paktën një orë në ditë do të përdorin chatin qoftë në zyra, shtëpi, salla interneti, bare apo kafe.

Në fillimet e lindjes së fenomenit realiteti ishte pak i vështirë për t’u pranuar pasi edhe paragjykimet shoqërore dhanë shkëndijat e tyre. Të komunikuarit është gjëja më normale, ndaj nuk ka shumë rëndësi nëse bëhet në një formë tjetër. Chati sigurisht është mënyra më e shpejtë për të transmetuar një mesazh, kësaj radhe ndryshe, përmes ekranit në kilometrat më të afërt e largët.

“Takimet” on-line, moda më e fundit

Paragjykimet e fenomenit chat kanë lindur prej shoqërisë, e cila me sa duket ka marrë parasysh mënyrat e shumta, që të krijon ai për të qenë “afër” mijëra të panjohurve. Ajo që është përhapur gjerë pas fenomenit chat është pikërisht dashuria dhe takimet on-line. Deri diku duket e pabesueshme, por në shumë raste rezulton e vërtetë. Të chatuarit është edhe moda më fundit e frekuentuar midis të rinjve apo moshave të ndryshme. Duket se interesi për t’u njohur në bare, pub-e, palestër, apo kinema ka rënë duke u zëvendësuar me takimet on-line.

Me pak fjalë këto takime janë pak a shumë si një katalog me shumë pasuri, apo një dhomë e mbushur plot me njerëz. Ndryshimi është se të gjithë të interesuarit on-line i kanë bërë dëshirat publike si “thjesht miq”, “networking”, apo edhe “lidhje serioze”, duke bashkëngjitur edhe preferencat, hobitë, dëshirat apo edhe fobitë duke ndihmuar kështu në përzgjedhje. Realisht në shoqërinë e sotme ka shumë pak kohë për jetë personale. Ndaj edhe mënyrat për të arritur në komunikim dhe gjetjen e një dashurie kanë tendenca të bëhen në kohë të shkurtër, sa më ekonomike.

Funksionon nëse identifikohesh

Të chatuarit on-line mund të jetë pozitiv për të njohur dikë, pasi çdo gjë nis nga biseda dhe komunikimi. Ekzistojnë avantazhe të ndryshme. Kështu mund të jetë mundësia për të hequr dorë përpara se të vendosësh të dalësh realisht me personin në fjalë. Gjithashtu mund të përfitosh nga fakti se si dikush është apo ngjan në të vërtetë përmes fotove që shfaqen në internet. Në fund të fundit mund t’i kursesh vetes “çudinë” që të jep shpeshherë takimi i parë. Shumica e atyre që janë përfshirë në takime on-line kanë vendosur të takohen vetëm pasi kanë parë fotot e njëri-tjetrit, duke krijuar një ide mbi pamjen dhe outlookun e tyre. Sigurisht ka ndodhur atëherë kur ka pasur vërtet tërheqje fizike deri diku, pasi në të kundërtën është vështirë të ndodhë.

Tregohu i zgjuar

Ajo që sugjerohet për më tepër është të qenurit i zgjuar dhe rezervuar në të njëjtën kohë. Mbi të gjitha mundohuni të jini vetvetja. Nëse do të tregonit “tjetrin tuaj” ose personin që do të dëshironit të ishit atëherë do të dukeshit qesharak. Mos abuzoni duke fantazuar projekte dhe ëndrra të pabesueshme. Nuk do të funksionojë gjithsesi. Nëse kërkoni që edhe të tjerët të jenë po aq real duhet fillimisht të tregoheni vetë të ndershëm dhe autentik. Do ishe qesharake nëse do të dërgonit foton tuaj të preferuar të gjimnazit, ndërsa realisht mund të ishit jo më pak se 40 vjeç. Gjithashtu mos sajoni duke u bërë si person i angazhuar e karrierist, apo të jetuarit e një jetë luksoze e magjepsëse kur në fakt nuk e keni. Në fund të fundit kërkoni dikë që t’ju ngjajë sadopak, dhe nuk do ta gjeni nëse “rishpikni vetveten”. Besojini sharmit tuaj të brendshëm. Duke qenë real do të mund t’i krijoni mundësitë edhe personit përballë jush të jetë sa më real dhe vetvetja. Qëllimi në vetvete është të funksionojë, sepse takimi on-line nuk është gjë tjetër veçse mënyra se si mund të lind procesi dashuri.