27-dardanib_2708111030_1

Dardan Berisha, lojtari kryesor i Polonisë

Basketbollisti kosovar Dardan Berisha është i vetmi që e ka vendin e sigurt te Përfaqësuesja e Polonisë, ndonëse seleksionuesi Ales Pipan ende nuk e ka publikuar listën përfundimtare për “EuroBasket 2011”. Kështu ka shkruar të premten uebfaqja polake “Pomorska.pl”, transmeton Koha Ditore. 

Ndeshjen e parë në Evropian, Polonia e luan kundër kampiones në fuqi, Spanjës, më 31 gusht, në hapje të kampionatit të Lituanisë.  Përzgjedhësi Pipan ka bërë të ditur se tashmë e di listën e Polonisë, ndonëse ai ende nuk ka vendosur për 12 lojtarët që do t’i marrë në Lituani.

“Listën e kam në kokë si edhe pesëshen startuese, por duhet ende të pritni për të parë se për kë kam vendosur”, ka deklaruar Pipan, që të shtunën i jep fund kampit stërvitor në Legionowo.

Prej se në krye të Polonisë erdhi trajneri slloven, fundori Berisha (22) është bërë lojtari kryesor. Ai ka shkëlqyer te ekipi polak pothuajse në të gjitha ndeshjet përgatitore. Berisha në vitin 2009 ka debutuar me Përfaqësuesen e Polonisë, kurse është basketbollist i skuadrës Anwil Wloclawek.

“Në fillim të javës së ardhshme do të publikohet lista para se ekipi të udhëtojë për Lituani. Vendin e sigurt e ka vetëm Berisha, që është më i miri deri më tani te Polonia”, ka shkruar “Pomorska.pl”.

Berisha do të ketë punë të vështirë në ndeshjen e parë të “EuroBasket 2011” pasi do të përballet me yjet e Spanjës. Berisha do të ketë punë me Ricky Rubion, Juan Carlos Navarron e Sergio Llulin.

“Do të jetë sfidë e madhe për Berishën dhe një përvojë e jashtëzakonshme”, shkruan sajti polak.