largea_danaj1348827160

Danaj i reagon kryediplomatit grek: Maqedonia, territor shqiptar

Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, ka reaguar kundër, siç e quan ai, falsifikimit dhe injorancës historike me të cilën u shfaq ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos në fjalimin e tij në OKB.

Gjatë fjalimit të tij, lidhur me emrin e Maqedonisë, Avramopulos ka theksuar mes të tjerash se “Maqedonia është një territor gjeografik ku bëjnë pjesë territoret e tre shteteve: pjesa më e madhe e Greqisë, Bullgarisë dhe IRJM-së”.

“Është një falsifikim dhe injorancë totale nga ana e ministrit të jashtëm grek, nacional-shovinistit me fytyrë engjëlli, Avramopulos. 40 për qind e territorit të asaj krijese artificiale të quajtur Maqedoni apo IRJM, është territor shqiptar, zoti ministër i jashtëm I shtetit më shovinist të Evropës.

Ky territor quhet Shqipëri Lindore. Mjafton të pyesni këshilltarët tuaj lidhur me aktin juridik të shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 dhe do ta kuptoni se sa nacional shovinist jeni treguar. Pavarësia e Shqipërisë u shpall me territore nga Presheva në Prevezë dhe nga Durrësi në Shkup. Se i kujt është territori tjetër, është puna juaj dhe e BE”, ka theksuar Danaj për portalin shqipërnatyrale.com.

“Sot shqiptarët, janë në rilindje tërësorë nacionale, sot ata nuk kërkojnë vetëm Shqipërinë Lindore në Maqedoni, as vetëm bashkimin me Kosovën. Sot ata kërkojnë dhe do të vazhdojnë të kërkojnë krahinën shqiptare të Çamërisë, Luginën e Preshevës, Ulqinin etj.

Sepse ata kanë të drejtën historike dhe juridike në anën e tyre. Dhe të gjitha do ti marrin, natyrisht me rrugë paqësore. Ata nuk kanë frikë nga lufta, por ata janë progresistë dhe e dijnë se sot kanë mbështetjen e Uashingtonit, nesër do ta kenë edhe të BE”, ka thënë më tej Danaj.