kocodanaj

Danaj: Gati gjysma e Maqedonisë territor shqiptar

Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, ka reaguar kundër falsifikimit dhe injorancës historike me të cilën u shfaq ministri i jashtëm grek Avramopullos në fjalimin e tij në OKB.

“Gjatë fjalimit të tij, lidhur me emrin e Maqedonisë, Avramopullos u shpreh se: ….Maqedonia është një territor gjeografik ku bëjnë pjesë territoret e tre shteteve: pjesa më e madhe e Greqisë, Bullgarisë dhe IRJM-së”, citon Danaj ministrin e jashtëm grek, duke vlerësuar se kjo është një falsifikim dhe injorancë totale nga ana e ministrit Avramopullos.

“40 për qind e territorit të asaj krijese artificial të quajtur Maqedoni apo IRJM, është territor shqiptar, zoti ministër i jashtëm i shtetit më shovinist të Europës. Ky territor quhet Shqipëri lindore. Mjafton të pyesni këshilltarët tuaj lidhur me aktin juridik të shpalljes së pavarësisë në 28 nëntor 1912 dhe do ta kuptoni se sa nacional shovinist jeni treguar. Pavarësia e Shqipërisë u shpall me territore nga Presheva në Prevezë dhe nga Durrësi në Shkup. Se i kujt është territori tjetër, është puna juaj dhe e BE”, ka theksuar Danaj, transmeton INA.

Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale thekson se, sot shqiptarët, janë në rilindje tërësorë nacionale, dhe se ata nuk kërkojnë vetëm Shqipërinë Lindore në Maqedoni, as vetëm bashkimin me Kosovën, por kërkojnë dhe do të vazhdojnë të kërkojnë krahinën shqiptare të Çamërisë, Luginën e Preshevës, Ulqinin etj.

“Sepse ata kanë të drejtën historike dhe juridike në anën e tyre. Dhe të gjitha do ti marrin, natyrisht me rrugë paqësore. Ata nuk kanë frikë nga lufta, por ata janë progresistë dhe e dinë se sot kanë mbështetjen e Uashingtonit, nesër do ta kenë edhe të BE”, ka shtuar Danaj.