|

Curri, së shpejti trajner i ekipit të dytë tek AUE

Mesfushori shqiptar, Skerdilaid Curri, shumë shpejt pritet të emërohet trajner i ekipit të dytë tek Erzgerbige AUE, shkruan të martën e përditshmja gjermane “Bild”. 

Curri 36-vjeçar, është më i merituari që ekipi i AUE-s ka arritur të sigurojë ekzistencën në Bundesligën 2. Ai shënoi golin e fitores në ndeshjen e fundit kundër Bochumit, që përfundoi me rezultatin 2:1. Me këtë fitore, AUE-ja edicionin e mbylli në pozitën e 15-të me 35 pikë të mbledhura.

“Përjetova një moment emocional dhe m’u duk sikur po e lexoja këtë histori në një libër përrallash. Më vjen mirë që ia dolëm pas shumë mundimesh. Viti i fundit nuk ishte i lehtë për mua”, tha Curri.

Mesfushori shqiptar është pjesë e kësaj skuadre prej vitit 2003 dhe ka zhvilluar 242 ndeshje. Curri insiston se nuk e ka ndërmend të pensionohet me gjithë moshën, ndonëse ka marrë ofertën nga krerët e klubit për t’u bërë trajneri i ekipit AUE II.

“Ende nuk kemi vendosur përfundimisht për këtë detyrë, pasi kam edhe një bisedë vendimtare me drejtorin sportiv. E rëndësishme është se jam ende në gjendje të luaj futboll. Jam në formë të mirë dhe zemra ime më rrah ende për futbollin”, tha ai.

Komentoni