“Colonel Bird”, i regjisores Kallaba premierë në New York

“Colonel Bird”, i regjisores Kallaba premierë në New York

“Colonel Bird”, i regjisores Kallaba premierë në New YorkRegjisorja kosovare, Arta Kallaba së shpejti do të prezantojë premierën e shfaqjes “Colonel Bird”, në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në teatrin ndërkombëtarë “Producers Club”. 

Me tekst të autorit bullgar, Hristo Bojcev, ngjarja është e vendosur diku në Ballkan, në një repart psikiatrik, ku janë ngujuar gjashtë pacient dhe një mjek, por ky i fundit, në të vërtetë është një ish narkoman që me diplomë false është prezantuar si mjek, me qëllim që të jetë sa më afër barërave.

Kallaba për KultPlus ka thënë se ndihet të jetë mirë për faktin se autori i kësaj shfaqje ia ka dhënë të drejtën e inskenimit të këtij teksti, që tashmë do të ngjitet në teatrin njujorkez më 21 mars, për të vazhduar më pas me reprizat: 22 e 23 mars dhe më pas do të vazhdojë të jetë në repertorin e teatrit “Producers Club”.

“I gjithë ekipi i shfaqjes janë shqiptarë, por që jetojnë dhe veprojnë në New York. Mirëpo shfaqja do të prezantohet në gjuhën angleze, pasi që teatri ku do të prezantohet kjo shfaqje, është teatër ndërkombëtarë”, ka thënë Kallaba, e cila ka disa muaj që jeton në New York.

“Unë fillimisht nuk e kam menduar se do të kyçem kaq shpejt në profesion, pasi që të fillosh jetën profesionale në një qendër botërore siç është New York, është sfiduese. Por, me insistimin e kolegëve të mi, ja arritëm të realizojmë këtë projekt, që po besoj se ja kemi dalë”, ka thënë Kallaba.

Në shfaqjen “Colonel Bird”, me rolet e tyre janë të përfshirë aktorët: Luan Bexheti, Roza Kalaj, Gent Basha, Roland Uruci, Besnik Shabani, Agim Rugova e Bujan Rugova.

Se si ka qenë përvoja me aktorët shqiptaro amerikan duke bërë krahasim me aktorët kosovarë, pasi që Kallaba ka punuar edhe disa shfaqje në Kosovë, ajo ka thënë se i vetmi dallim është se aktorët e Kosovës i ka njohur edhe për së afërmi. Në anën tjetër muzikën e kësaj shfaqje e ka bërë muzicienti Faton Macula kurse kostumet Mandeta Zeka.