CNN, bie nga froni mbreti i lajmeve

CNN, bie nga froni mbreti i lajmeve

CNN, bie nga froni mbreti i lajmeve Viti 1989 nuk do të kishte qenë i njëjti pa CNN: televizionin e parë në botë që transmetoi imazhet e rënies së Murit të Berlinit dhe protestës në sheshin “Tienanmen”.


Lufta e Gjirit është ngulitur në kujtesë për 16 orët e bombardimit fillestar më 17 janar të vitit 1991, kur Peter Arnett bëri lidhjen direkte nga Bagdadi. Por, tridhjetë vjet pas krijimit, tashmë i braktisur nga themeluesi i tij vizionar, Ted Turner, rrjeti televiziv pionier i televizioneve globale, që transmeton 24 orë në 24, tashmë është bërë hije e vetvetes.

Ishte vërtet e pabesueshme kur gjithandej u përhap lajmi se CNN, pjesë e grupit “Time Warner” këtë muaj u rendit i katërti mes televizioneve kabllore të informacionit, për sa i përket shikueshmërisë në një nga oraret decizive për reklamat.

Treguesit, për sa i përket shikueshmërisë, janë më të ulëtit e regjistruar ndonjëherë, edhe se 22 përqindëshi i shënuar në vitin 2007.

Ekspertët janë unanimë kur mendojnë se duhet t‘ia atribuojnë këtë përmbysje polarizimit politiko-ideologjik, gjithmonë e në rritje në mediat amerikane. Për më tepër, “Fox news” i Rupert Murdock renditet i pari dhe është mbreti i padiskutueshëm në garën mes rrjeteve të specializuara për informacionin.

Lind pyetja, a është vërtet një televizion informacioni? Dhe të mendosh se pas akuzave ndaj Shtëpisë së Bardhë, Obama e akuzoi për paaftësi dhe e krahasoi më tepër me formatin e një “top radio”. “Fox” është një televizion luftarak i pozicionuar djathtas. Prezantuesit e tij, Gleen Black, Bill O‘ Reill dhe Greta Van Sustern, bëjnë garë me njëri-tjetrin për të “entuziazmuar” pjesën më të zemëruar të opinionit publik kundër Obama-s.

Nga “Fox”-i nisi këtë verë fushata e helmeve mbi të ashtuquajturën “eutanazia e shtetit” që do t‘u imponohej të moshuarve me reformën shëndetësore të Obama-s. Mbështetësit e “Fox” drejtuan edhe manifestimin e madh kombëtar kundër rritjes së taksave që pushtoi rrugët e Uashingtonit në shtator. Kur Barack Obama vendosi ta “ndëshkojë” “Fox”, duke mos i dhënë një intervistë, për “Audimat” ishte një bekim nga Zoti: rrjeti u prezantua si një viktimë e përndjekur nga qeveria.

Edicioni i lajmeve i orës shtatë të darkës në “Fox news”, i drejtuar nga Shepard Smith, ka arritur pikun me 465.000 spektatorë me moshë nga 25-54 vjeç, konsumatorët e informacionit të konsideruar si më të çmuarit nga reklamuesit për fuqinë e tyre blerëse. Po në të njëjtën orë, Lou Dobbs në CNN ka regjistruar vetëm 162 mijë spektatorë. Pas “Fox”-it është renditur i dyti, binjaku-rival i së majtës: “Msnbc”, rrjeti kabllor i informacionit që ka lindur nga NBC.

Në fillimet e tij, ky televizion nuk kishte asnjë kromozom ideologjik. Aq më tepër që pronësia është e konglomeratit “General electric”, qëllimisht bipartizane si çdo kolos tjetër industrial amerikan. Megjithatë, “Msnbc” e ka kuptuar shumë më parë se sa CNN se era e re e konsumit të lajmeve shënohet nga ballkanizimi politik, nga luftërat për banda. “Msnbc” zuri menjëherë vendin në treg që ishte i lirë, atë në krahun e majtë. Me drejtorin e “Harball”,

Chris Matthees, dhe Rachel Maddov, “Msnbc” është versioni më spektakolar i “Fox”-it: ironizon drejtimin populist të opozitës republikane, apo tregon për paratë që qëndrojnë pas fushatës kundër reformës shëndetësore. Kushdo që mbështet Obama-n në darkë mund të ulet përpara televizionit dhe duke parë “Msnbc” për të dëgjuar gjithë poshtërsitë për ata që komplotojnë kundër Presidentit.

Ky është triumfi i një modeli televizioni që po zgjidhet gjithmonë e më shumë nga një numër i madh amerikanësh, që duan të inkurajohen për paragjykimet dhe stereotipat e tyre. Për të gjorin CNN duket se tani përbëjnë lajm vetëm gafat që po lëshon ditë pas dite. Siç ishte i ashtuquajturi “skup” mbi sulmin terrorist përgjatë lumit Potommac, në zemër të Uashingtonit, më 11 shator që nuk ishte gjë tjetër veçse stërvitja e rojeve bregdetare vendase.

Apo gënjeshtra për “Balloon Boy”: fëmija që mendohej se kishte humbur pasi drejtonte një balonë gjigante artizanale, ishte thjesht një skenë e organizuar nga i ati në kërkim të publicitetit. Për ata që lexojnë evolucionin e shoqërisë amerikane është një simptomë e barbarizmit rënia e shikueshmërisë së një rrjeti që pretendonte të ishte “i drejtë dhe i balancuar”. Edhe për pjesën tjetër të botës nuk është ndonjë ndryshim i madh. “Fox” dhe “Msnbc” janë shumë më të përqendruara në lajmet nga vendi dhe investojnë më pak në ato ndërkombëtaret. Në fund të fundit, për ato është “Al Jazeera”.

CNN, pak histori

CNN (Cable News Network) është një stacion televiziv amerikan që transmeton lajme 24 orë në 24 që shihet në të gjithë botën, falë teknologjisë satelitore. U themelua në vitin 1980 nga

Ted Turner dhe Reese Schonfeld. Transmetimet e tij nisën pasditen e 1 qershorit të vitit 1980. CNN ishte i pari që futi konceptin e rrjetit televiziv për lajme 24 orë në ditë dhe i pari që transmetoi direkt fillimin e një konflikti ushtarak, kur në vitin 1991, Peter Arnett transmetoi me një antenë satelitore nga çatia e një hoteli në Bagdad, imazhet e para të sulmit të trupave amerikane ndaj ushtrisë së Sadam Huseinit në qytetin irakian, duke nisur kështu luftën e parë të Gjirit.

Programet janë të ndarë sipas kanaleve të informacionit, nga ekonomia te sporti dhe spektakli. Nëse ndodh ndonjë ngjarje speciale transmetohet versioni ndërkombëtar i kanalit që transmeton 24 orë pa ndërprerje. Në SHBA, abonentët e CNN, që është i pranishëm në më shumë se 100 vende, janë më shumë se 40 milionë. Qendra e tij është në Atlanta, në shtetin e Georgia-s, ku punojnë më shumë se 600 punëtorë, nga të cilët 200 janë gazetarë. Brenda selisë qendrore në Atlanta gjendet edhe një muze që tregon historinë e CNN.

Mes programeve më të ndjekura, një vend të rëndësishëm zë “The Larry King Show”, një program që ka nisur qysh prej vitit 1980, që zhvillohet drejtpërdrejt, ku ftohen personalitete të botës së spektaklit dhe politikës amerikane. Në program mund të ndërhyhet, duke telefonuar drejtpërsëdrejti. Krijuesi i tij është autori, producenti dhe gazetari amerikan Larry King. CNN ishte i pari televizion në Amerikë që dha lajmin për sulmin e Kullave Binjake më 11 shator. Para paka kohësh, CNN renditej i pari në listën e televizioneve më të ndjekur në Amerikë. /Gazeta Shqip/