Çmimi i energjisë, Braçe: Jo më tepër se 10 lekë/kwh

Çmimi i energjisë, Braçe: Jo më tepër se 10 lekë/kwh

Çmimi i energjisë, Braçe: Jo më tepër se 10 lekë/kwhKryetari i komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe deklaroi dje se çmimi i energjisë elektrike, pas heqjes së fashës 300 kwh do të jetë jo më shumë se 10 lekë për kilovat.

Edhe pse institucioni vendimmarrës për çmimin e energjisë elektrike është Enti Rregullator i Energjisë, dhe gjithashtu, që sipas vendimit të djeshëm, pritet data 1 dhjetor, që të publikohet çmimi, sërish deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, shprehet se çmimi i energjisë elektrike nuk do të jetë më shumë se 10 lekë/kwh për familjarët.

Sa i takon vendimit që Enti Rregullator i Energjisë pritet të japë në dhjetor për kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike që i janë parashtruar nga KESH, ERE, dhe OST, Braçe tha se i mbetet këtij institucioni të vendosë, por theksoi se ndryshe nga akuzat e Berishës, nuk do të ketë çmim mbi 10 lekë.

Energjia e privatëve

Qeveria po mendon të ngushtojë sa më shumë hendekun mes çmimit të blerjes dhe të shitjes së energjisë elektrike. Kështu do të ndodhë edhe pas vendimit të djeshëm që çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes do të llogaritet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë e do të shpallet prej tij në fillim të çdo viti, në bazë të formulës çmimi shitjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent /kwh X koeficientin 1.1 (kur është i aplikueshëm) X normën mesatare të këmbimit në euro/ lekë për vitin e fundit. Publikimi për çmimin mesatar do të bëhet në datën 1 dhjetor.

Kjo sipas ndryshimit të bërë nga Këshilli i Ministrave, ERE do të miratojë tarifën përkatëse, siç publikohet nga bursa e Hungarisë HUPX në faqen e internetit:www.hupx.hu), më 1 dhjetor të vitit kur ERE merr vendimin për miratimin e çmimit. Gjithashtu, po sipas vendimit, koeficienti 1.1 llogaritet dhe përfshihet vetëm për përcaktimin e çmimit të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe merr në konsideratë reduktimin e humbjeve teknike në këtë rrjet si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve në rrjetin energjetik të tensionit të mesëm dhe/ose të ulët. Në vendim shfuqizohen 3 paragrafë që kanë të bëjnë me “Udhëzime për mënyrën e zbatimit të procedurave konkurruese”.

Po kështu, shfuqizohet edhe vendimi nr.907, datë 12.12.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për nxitjen e investimeve private në sektorin e energjisë e prodhimit të energjisë elektrike dhe për disa ndryshime në vendimin nr.27, datë 19.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve””. Nga ana tjetër qeveria vendosi të shtojë kriteret për dhënien me koncesion, si partnerëve publikë dhe atyre privatë. Këshilli i Ministrave ka dalë dje në vendimin për të shtuar listën e dokumentacionit për standarde të reja të procedurës konkuruese.

Këto ndryshime janë bërë me propozim të ministrit të Energjisë dhe të Industrisë, Damian Gjiknuri. Në ndryshimin e bërë për “Dokumentet standarde të procedurës konkuruese”, thuhet: “Për koncesionet e hidrocentraleve deri në 15 MË, në kontratë përfshihen kushtet e përgjithshme apo të veçanta për shitblerjen e energjisë. Kur e kërkon koncesionari, operatori i energjisë elektrike që është ngarkuar me këtë detyrim detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga këto hidrocentrale nëpërmjet një kontrate afatgjatë.

Braçe: Rishikim 5 koncesioneve

Qeveria do t’i shkojë deri në fund rishikimit të 5 koncesioneve, të cilët sipas tij, kanë rritur barrën fiskale mbi sipërmarrjen dhe qytetarët. Bëhet fjalë për koncesionin e pullave fiskale, koncesionin e ngjyrosjes dhe markimit të karburanteve, atë të kasave fiskale, kontrollit të shërbimit të automjeteve dhe çka është më e rëndësishmja, koncesioni për skanimin e kontenierëve. Sipas Braçes, kostoja e barrës fiskale për qeverinë në harkun e 3 viteve është 80 milionë dollarë, arkëtime këto të cilat kanë shkuar në xhepat e klientëve të ish-kryeministrit Berisha. “Kemi kërkuar liberalizim të qartë të tregut dhe kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se ato sot operojnë në kushte monopoli dhe me tarifa shumë më të shtrenjta përkundrejt sipërmarrjes dhe qytetarëve. Insistoj fort në çuarjen deri në fund të punës me koncesionet. Në qoftëse opozita e sotme apo ish-qeveria e djeshme po bërtet sot për 160 milionë dollarë taksa të reja dua t’u them që 80 milionë dollarë ose gjysma e vlerës së tyre është kostoja e këtyre koncesioneve në harkun e një viti, drejtpërdrejt te sipërmarrja”- deklaroi Braçe. Kryetari i komisionit insiston për të rishikuar këto koncesione, specifikisht kontratën e ishqeverisë Berisha me kompaninë e kontenierëve “Rapiscan”. Kjo e fundit kërkon zhdëmtimin në arbitrazhin ndërkombëtar të Vjenës për prishjen e kontratës së koncesionit nga qeveria shqiptare në shumën e 359 milionë dollarëve.