f1_29-chelsea1351505671

Chelsea ankohet te delegati për sjelljet e gjyqtarit Klatenburg

Chelsea është ankuar për sjelljet e Marc Klatenburgit, gjyqtarit kryesor të ndeshjes kundër Manchester Unitedit, pasi thuhet se ai me lojtarët e “The Blues” ka komunikuar në mënyrë të vrazhdë dhe disa prej tyre i ka fyer.

Chelsea humbi ndeshjen si vendas kundër Unitedit me rezultat 3:2, në ‘saje’ edhe të përjashtimit të dy lojtarëve me karton të kuq, Branislav Ivanoviqit dhe Fernando Torresit.

Gjithashtu, golin e tretë për United e shënoi Javier Hernandez ‘Chicharito’, dukshëm nga pozita jashtëloje (off-side).

“Ne kemi bërë një ankesë zyrtare tek delegati, shkaku i sjelljes së gjyqtarit gjatë komunikimit të tij me lojtarët tanë. Çështja në vazhdim do ta zgjidh Federata e Futbollit të Anglisë,” tha zëdhënësi i Chelseat, Steve Atkins.

Për klubin anglez kjo ishte humbja e parë gjatë këtij sezoni në Premier League, por Chelsea ende udhëheq në renditjen tabelore me 22 pikë, përkatësisht një më shumë se kampioni aktual i Anglisë, Manchester City.