CEZ rikthen krizën energjetike ’92-’97, në Shtator Shqipëria në errësirë

CEZ rikthen krizën energjetike ’92-’97, në Shtator Shqipëria në errësirë

CEZ rikthen krizën energjetike ’92-’97, në Shtator Shqipëria në errësirëKoorporata Elektroenergjitike Shqiptare paralajmëron kolaps energjetik në shtator, nëse nuk merren masa urgjente. Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Halit Velaj kërkon nga kompania CEZ Shpërndarje që të nisë importimin e energjisë për mbulimin e humbjeve dhe të shlyejë borxhet ndaj korporatës, e cila ndodhet aktualisht në vështirësi financiare.

“Në qoftë se nuk blihen humbjet, për një muaj mosblerje humbjesh, liqeni i Fierzës bie me 6 metra. Me këtë nivel të Fierzës, me këto rezultate që ka KESH, duhet që të marrim masat të mos shkojmë tek importi, këtë e ka për detyrë ERE ta ndjekë. E vetmja ndjekje që mund të bëjmë ne është ajo që nuk do ta bëjmë, të ulim turbinat, por ta dini që nëse do të ulen turbinat nuk do të kemi drita”, deklaroi Velaj.

Administratori i KESH vijoi më tej se kompania CEZ Shpërndarje nuk ka shlyer të gjitha detyrimet e trashëguara nga koha kur sistemi i shpërndarjes administrohej nga çekët, madje këto detyrime, sipas tij janë shtuar gjatë gjashtë muajve të fundit, duke kapur një total prej rreth 450 milionë dollarësh. “CEZ nuk i ka shlyer detyrimet për vitin 2013. Detyrimet ishin 30 miliardë dhe deri tani kur flasim ky borxh është rritur dhe me 14 miliardë. Sot në këto kushte që flasim, borxhi i CEZ-it është rreth 450 milionë dollarë”, pohoi Velaj. Në këto kushte, një tjetër barrë e rëndë për KESH është borxhi prej 20 milionë dollarësh që Koorporata u ka prodhuesve të vegjël.

‘KESH iu ka një borxh 20 milionë dollarë HEC-eve dhe nuk ka mundësi për t’ua paguar. Kam bërë dy shlyerje me grafik, sasia e parave nuk ka qenë e kënaqshme, sot (dje) më janë bllokuar llogaritë dhe nuk kam para as të investoj, as t’i jap njeriu borxhe, vetëm të mundohem të paguaj rrogat e punonjësve”, nënvizoi Velaj, duke shtuar se si zgjidhje sheh dhe qeverinë e re. “Zgjidhja është, qeveria e ardhshme. ERE duhet që furnizuesin publik me shumicë, i cili sot është KESH, të dalë jashtë KESH, të zbatohet modeli i tregut. KESH të jetë divizioni i gjenerimit të energjisë, kompani publike prodhuese. Të merret parasysh edhe në buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm, mënyra e likuidimit të këtyre prodhuesve”, përfundoi ai.

Reagon CEZ: Kemi nisur shlyerjen e detyrimeve

Kompania “CEZ Shpërndarje” ka reaguar pas deklaratave të kreut të KESH, duke theksuar se importi për mbulimin e humbjeve do të nisë menjëherë. CEZ garanton se brenda 16 korrikut do të sigurohet energjia për të mbuluar humbjet. Lidhur me borxhet ndaj KESH-it, CEZ nënvizon se ka nisur shlyerjen e detyrimeve dhe të vijojë të shlyejë faturat koherente. Sipas CEZ-it, shlyerja e faturave të prapambetura e pezulluar nga Enti Rregullator i Energjisë. “’Brenda datës 16 të këtij muaji, CEZ Shpërndarje do të sigurojë energjinë nga importi për të mbuluar humbjet dhe do të vazhdojë të shlyejë faturat koherente ndaj KESH. Shlyerja e faturave të prapambetura momentalisht është pezulluar sipas një vendimi të Entit Rregullator të Energjisë”, thuhet në reagimin e CEZ Shpërndarje.

Kursimet, interesat bien në minimum historik

Tregu i brendshëm po përballet me një ulje të pandalshme të kostos së parasë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në ankandin e fundit interesi i bonove të thesarit me afat maturimi njëvjeçar, zbriti në 5.35 për qind, që është dhe niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Madje shifrat tregojnë se si asnjëherë tjetër më parë, interesi i bonove gati po barazon atë të depozitave. Në qershor norma mesatare e depozitave me afat njëvjeçar ishte sipas Bankës së Shqipërisë 5.11 për qind, vetëm 0.2 pikë përqindje me pak se sa bonot.

Kjo do të thotë se bankat po preferojnë që kapitalet e tyre t’i investojnë edhe pa fitim, në borxh për qeverinë se sa të rrezikojnë duke dhënë kredi për privatët. Një situatë që e ka zhytur Shqipërinë tashmë zyrtarisht në krizë kredie. Pas shumë vitesh rritje të vazhdueshme, në qershor kredia për sektorin privat shënoi ulje për herë të parë krahasuar me vitin e kaluar. Ngërçi i kredisë duket një dukuri që ka përfshirë të gjithë rajonin, ku grupet bankare që përgjithësisht vijnë nga Eurozona thuajse kanë pezulluar kredinë e re për bizneset dhe individët, kjo edhe për shkak të kërkesës së dobët.

“Ngrijnë” financat, fiket për 18 ditë info-sistemi

Nga dita e djeshme deri më 30 Korrik, qeveria nuk do të kryejë dot asnjë veprim financiar, për shkak të fikjes së sistemit kompjuterik që mundëson aktivitetin e financave në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye, Ministria e Financave kishte urdhëruar kryerjen e të gjitha veprimeve lidhur me pagat e punonjësve përpara kësaj periudhe, në mënyrë që të mos ketë asnjë ngërç në ekzekutimin e tyre.

Nga ana tjetër, ministria gjithashtu urdhëroi që pagesat e domosdoshme të ISSH dhe ISKSH, si dhe ato të borxhit shtetëror, të ekzekutohen nga Banka e Shqipërisë me urdhër të ministrit të Financave. Nëpërmjet një urdhri të Bodes vihen në dijeni institucionet buxhetore se nga data 12 deri 30 Korrik do të kryhet procesi teknik i instalimit të versionit të ri të Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, kalimi nga versioni EBS11 në versionin EBSR12. Më tej, në urdhrin e Bodes specifikohet se, për këtë periudhë sistemi do të jetë i fikur dhe nuk do të kryhet asnjë proces në të. Për këtë periudhë, ISSH dhe ISKSH nga Llogaria Unike e Thesarit (TSA) në llogaritë respektive në Bankën Qendrore, si dhe pagesat e borxhit do të ekzekutohen nga Banka Qendrore me urdhër të ministrit të Financave.