Carlo Ancelotti: Do ta mbrojmë titullin

Carlo Ancelotti: Do ta mbrojmë titullin

Ancelotti insiston se Chelsea do ta mbrojë dominimin e saj në Premierligë, përkundër largimit të Joe Cole dhe mosarritjes së Fernando Torres. Sezonin e ardhshëm, trajneri italian e parasheh Manchester Cityn si kundërshtarin më të rrezikshëm, përpara rivalit të Citizens, Manchester United.

City do të jetë më i mirë sesa sezonin e kaluar. Ky ekip ka futbollistë fantastikë dhe do të jetë një kundërshtar i rëndësishëm për ne”, tha për tabloidin britanik The Sun trajneri italian i cili megjithatë beson tek ekipi që ka, me të cilin e fitoi titullin e kampionit në debutimin e tij në Angli.

Qëllimi ynë është që të arrijmë të shkojmë më larg këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Ne dolëm nga ky kompeticion shumë herët sezonin që shkoi”, u shpreh Ancelotti.

Chelsea deri tash ka harxhuar vetëm 5 milionë funte, duke e blerë mesfushorin Yossi Benayoun nga Liverpool si zëvendësues të Joe Cole, por është në pritje të një marrëveshjeje eventuale me ekipin Reds për spanjollin Torres.

Kampioni i ri i botës do t’i kushtonte ekipit të Roman Abramovich 50 milionë funte, edhe pse Ancelotti konsideron se nuk ka nevojë për sulmues. Transferimi eventual i ish futbollistit të Atletico Madrid do të ishte një bonus për Ancelottin.

“Ne nuk kemi nevojë për më shumë sulmues, pasi jemi të aftë të fitojmë. Jemi të aftë ta mbrojmë titullin në Premierligë. Ne duhet ta mbrojmë këtë titull. Planifikojmë që ta arrijmë më të mirën në të gjitha kompeticionet”, vazhdoi ish trajneri i Milanit dhe i Juventusit.

51 vjeçari ka shtuar se nuk mund të bënte asgjë për ta mbajtur mesfushorin anglez Cole, të cilit i përfundoi kontrata gjatë kësaj vere. “Problemi ishte ekonomik. Kishte një problem ndërmjet klubit dhe Joe Cole, jo me mua. Nuk ishte problem imi”, nënvizoi ai.

Ancelotti do të mund të llogaritë në mesfushorin Michael Essien, i cili shënoi golin e fitores në ndeshjen përgatitore të së shtunës ndaj Crystal Palace.

Ndërkohë, trajneri italian ka paralajmëruar se do t’i lërë të pushojnë edhe disa ditë futbollistët që morën pjesë në Botërorin e Afrikës së Jugut. “Do t’ua jap mundësinë që të pushojnë dhe t’i mbushin bateritë, që të jenë më pas të gatshëm 100 për qind për sezonin e ardhshëm”, përfundoi Ancelotti.