Cana refuzon Arsenalin

Cana refuzon Arsenalin

Cana refuzon ArsenalinKapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, nuk ka dashur të dëgjojë fare për interesimin e klubit londinez, Arsenal. Kështu ka njoftuar të premten ueb-faqja italiane “lalaziosiamonoi.it”. Sipas kësaj ueb-faqeje Cana 30-vjeçar nuk ka pranuar të hyjë në negociata me Arsenalin. Ai dëshiron që të qëndrojë te Lazio.

Sipas këtij mediumi italian, Arsenali është në kërkim të një qendërmbrojtësi dhe si opsion është Cana. Ky i fundit edhe më herët ka qenë i pëlqyeri i trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger.

Përfaqësues të klubit anglez kanë nisur kontaktet me drejtuesit e skuadrës italiane, Lazio. Raportohet se skuadra romane ka lënë hapësira për bisedime edhe me vetë ish-futbollistin e disa skuadrave të mëdha evropiane. Megjithatë, reagimi i Canës ka qenë i menjëhershëm. Ai ka bërë të ditur se nuk dëshiron të largohet.

Këtë vendim e ka marrë pasi e dinte shumë mirë se te klubi i madh anglez nuk do ta kishte vendin e sigurt si titullar. Futbollisti kosovar është më pranë se kurrë afirmimit te Lazio dhe është favorit për të qenë titullar në qendër të mbrojtjes.

Arsye tjetër për refuzimin e skuadrës angleze është edhe paga e lartë që merr Lorik Cana në Lazio si dhe ambientimi me stilin italian të jetës. Sipas mediumeve italiane, një rol të madh për moslargimin e Canës nga Lazio ka luajtur edhe e dashura e tij, e cila vazhdon studimet në Romë.

Lideri i kombëtares shqiptare në korrik të vitit 2011 u transferua te Lazio nga skuadra turke, Galatasaray. Me Lazion ka kontratë deri në qershor të vitit 2016. Më herët ka luajtur edhe në Angli e Francë.