Buxheti i ri, Basha e rrit me 130 deri në 260% për biznesin e madh

Buxheti i ri, Basha e rrit me 130 deri në 260% për biznesin e madh

 Buxheti i ri, Basha e rrit me 130 deri në 260% për biznesin e madhKëshilli Bashkiak i Tiranës ditën e mërkurë ka miratuar ndryshimet e taksave dhe tarifave vendore. Taksa e ndërtesës për biznesin u rrit vetëm me 40% dhe jo dyfishim sa ishte miratuar në paketën fiskale të qeverisë.

Po ashtu bizneset që ushtrojnë aktivitetin në kryeqytet do të paguajnë më shumë për taksën e pastrimit. Më të penalizuar janë biznesi i madh dhe ai ‘VIP’, sidomos për subjektet që klasifikohen si njësi prodhimi, të cilat prekin edhe drejtpërdrejtë konsumatorët. Për këtë kategori taksa e pastrimit ka një rritje prej 130% ku futen subjektet e prodhimit të ushqimeve, bukës, ëmbëlsirave, bulmet, mishit peshkut etj.

Taksa e ndërtesës & Ndryshimi
Duke filluar nga 1 janari i këtij viti të gjithë qytetarët që kanë një shtëpi banimi në Tiranë të ndërtuar para vitit 1993 do të paguajnë 15 lekë/m2 në vit. Ata pronarë që kanë banesë në pronësi të ndërtuar pas viti 1993 do të paguajnë 30 lekë/m2. Ndërsa të gjithë ata që kanë ndërtesa në pronësi dhe i përdorin për tregti dhe shërbime do të paguajnë 40% më shumë pra 280 lekë/m2, nga 200 lekë/m2 që paguanin më parë. Fatmirësisht për këtë kategori Këshilli Bashkiak me propozimin e këshilltarëve të PS-ës miratoi reduktimin me 30% të kësaj takse, pasi propozimi fillestar ishte 400 lekë/m2. Në ndërtesa për tregti do të kuptojmë gjitha ndërtesat si hotele, motele, stabiliment turistike, qendra biznesi, pika karburanti, magazina, depo, bankat, zyrat, njësit tregtare dhe shërbimi të çdo lloji etj.

Ndërsa ndërtesat që klasifikohen si ndërtesa të tjera, (ndërtesat që përdoren nga ambasadat, OJF etj.,) taksën e ndërtesës e kishin 50 lekë/m2 dhe me vendim të këshillit bashkiak u është bërë 70 lekë/m2 në vit dhe për këtë kategori u miratua një ulje me 30% sa është niveli që ligji parashikon se këshillat bashkiak mund të ulin apo të ngrenë një detyrim fiskal. Propozimi fillestar për këto kategori ishte 100 lekë/m2 në vit.

Me detyrimet e reja, të gjithë ata që kanë një shtëpi të dytë në Tiranë do të paguajnë dyfishin e taksës së ndërtesës, pra 60 lekë m/2. Kjo taksë për familjarët paguhet pranë njësive bashkiake në dy këste, kësti parë në 30 prill, i dyti në 30 shtator. Qytetarët që e paguajnë të plotë detyrimin përfitojnë 10% ulje. Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesën: pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara; ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare dhe pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore.

Tarifa e pastrimit
Biznesi i vogël do t’i nënshtrohet një tarife fikse pastrimi që do t’i paguajë pushtetit vendor. Më parë ata paguanin si tarifë pastrimi, 10% të taksës së biznesit të vogël, por tashmë kjo taksë është hequr dhe pjesa dërrmuese e këtyre subjekteve do të paguajnë 30 mijë lekë në vit, por ka edhe lloje të tjera biznesesh si bar-kafe, që tarifën e pastrimit e kanë 22 mijë lekë në vit.

Veç kësaj tarife, këto subjekte do t’i nënshtrohen sërish së njëjtës tarifë që ka qenë dhe më parë për tavolinat që vendosen në hapësirat publike, tarifë e cila është 2.500 lekë në muaj për tavolinë. Kjo tarifë paguhet nga të gjitha subjektet si bar- kafe, restorant, fast-food, kafe internet etj. Rritja më e madhe e taksës së pastrimit është bërë për subjektet që klasifikohen si njësi prodhimi nga 130% deri në 260%. Kjo rritje prek më shumë biznesin e madhe dhe atë ‘VIP’.

Bizneseve të mëdha, të prodhimit ushqimor, bukë, ëmbëlsira, mishi, peshku, bulmet do t’u rritet taksa e pastrimit nga 37 mijë lekë në 85 mijë lekë. Rritja më e madhe është bërë ndaj biznesit VIP, që nga 47 mijë lekë që paguanin më parë si tarifë pastrimi tashmë do të paguajnë 170 mijë lekë në vit. Ndërsa për kategorinë e familjarëve tarifa e pastrimit vijon të mbetet 5 mijë lekë në vit./shqiptare/