minatoret

Bulqizë, minatorët rinisin sot protestat

Pas përfundimit të festës së Fiter Bajramit, minatorët e Bulqizës kanë rinisur sërish sot protestat të cilat ishin ndërprerë për tre ditë.

Ata janë grumbulluar që në orët e para të mëngjesit para zyrave të ACR-së duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë ditën e djeshme presidentja e “ACR”, Skatche-Depich i ka uruar Festën e Bajramit të gjithë punonjësve të kësaj kompanie.

Në letrën e hapur të saj, ajo u ka kërkuar sërish minatorëve të kthehen në punë ndërsa ka shtuar se kompania “ACR” është e gatshme të ulet në bisedime për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e tyre.

Nga ana tjetër Kreu i Konfederatës, Kol Nikolla e ka cilësuar mesazhin e urimit të presidentes së “ACR”, drejtuar minatorëve me rastin e festës së Fiter Bajramit si të papjekur.

Ndërkohë në orën 09:00 ka nisur edhe mbledhja e këshillit të sindikatë për të vendosur në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë minatorët dhe nëse do të vijojnë ose jo greva e urisë dhe protestat.