Bujar Nishani, presidenti që po bën Presidentin

Bujar Nishani, presidenti që po bën Presidentin

Bujar Nishani, presidenti që po bën PresidentinNuk priti t’ia bënin të tjerët, por e bëri vetë bilancin e Presidencës së tij njëvjeçare. Kështu, Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij Bujar Nishani, ka sjellë një model ndryshe të presidentit shqiptar, sigurisht jo vetëm nga kjo iniciativë për të komunikuar vetë me publikun në përvjetorin e parë të punës si kryetar i shtetit shqiptar.

Një vit më parë në një profilin tim në “Metropol” për z. Nishani kam theksuar faktin se besoja që ai mund të ishte presidenti i parë shqiptar që do bënte presidentin, ose më mirë të themi do të bënte vetëm detyrën e tij.

Sigurisht, e bëja krahasimin me presidentët e tjerë të Shqipërisë që nga viti 1991 e këtej dhe sot konstatoj jo pa kënaqësi se parashikimi im ka qenë shumë pranë realitetit për atë çka bërë për një vit si kryetar shteti z. Nishani. Nuk dua të merrem me ish-presidentët e vendit, me të cilët z. Nishani, të paktën për këtë vit, e ka bërë vetë diferencën, por edhe nuk mund ta lëmë bilancin e kësaj presidence vetëm në gjykimin e z. Nishani kur dihen vështirësitë dhe sikleti i një njeriu që detyrohet të shkruajë për veten apo punën e tij.

Dua të theksoj që në fillim se presidenca e z. Nishani pati një debat të fortë në qarqet politike dhe opinionin publik për shkak të mënyrës së papritur të zgjedhjes së tij, por dhe për shkak të polarizimit të fort politik kur ai u përzgjodh e deri në zgjedhjet e 23 qershorit.

Z. Nishani u spikat si kandidaturë presidenciale pas dështimit të përpjekjeve të politikës për të zgjedhur një president konsensual dhe skandalit të dorëheqjes së detyruar të një kandidature tjetër.

Figura e z. Nishani ishte një përzgjedhje, por dhe mundësi optimale e ish-shumicës së djathtë për të zgjedhur kryetarin e shtetit në kushtet kur ish-opozita e majtë bëri ç’është e mundur për ta kthyer në krizë politike zgjedhjen e tij. Duhet theksuar fakti se figura e z. Nishani si politikan, megjithëse u sulmua ashpër nga e majta e Edi Ramës, që nga argumentet se ishte një politikan i së djathtës së Sali Berishës e deri te sulmet e denigrimit për arsye banale, u pranua menjëherë nga opinioni publik si një zgjedhje e mirë për kreun e shtetit.

Nuk mund të anashkalojmë faktin që z. Nishani deri pas zgjedhjes në postin më të lartë të shtetit shqiptar ishte politikani më i papërfolur edhe nga vetë opozita, e cila nuk kishte mundur të artikulonte qoftë edhe si abuzim një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj tij, edhe pse ai ka ushtruar detyra të larta e delikate, si ministër i brendshëm dhe i drejtësisë në qeveritë “Berisha”.

Për shkak të marrëdhënieve të tij të mira me z. Berisha ai u paragjykua pa të drejtë si një marionetë e mundshme e tij, një etiketim që shumë shpejt u konsiderua i pavërtetë dhe pjesë e demagogjisë së kundërshtarëve të majtë politikë. Sigurisht që presidenti i zgjedhur nga e djathta nuk mund të jetë i pranueshëm nga një e majtë kaq agresive e konservatore sa kjo jona.

Lidershipi i saj është marrë vazhdimisht me Presidentin dhe veprimet e tij, por pa mundur dot të krijojë në publik ndonjë opinion për z. Nishani. Aq problem duket se e ka Rama zotin Nishani President, saqë arriti deri atje sa të propozojë heqjen e portretit të tij nga zyrat e shtetit shqiptar, një detyrim kushtetues ky për shtetin shqiptar.

Disa herë media e majta pranë z. Rama kanë ndërmarrë sulme denigruese ndaj kreut të shtetit, që besoj se kanë lënë një shije të keqe te shumica e shqiptarëve normalë. Kulmi arriti me emetimin e një lajmi të falsifikuar në medien e majtë ditën e zgjedhjeve, kur njoftohej se Presidenti ndodhej i shtruar në spital në rrezik për jetën, gjë që dëshmon më së miri një raport negativ, por dhe lloj urrejtjeje të paarsyeshme e të paargumentuar së majtës zyrtare ndaj z. Nishani dhe presidencës së tij.

U përqendrova disi te ky raport i së majtës me z. Nishani për të theksuar faktin që presidenca e tij njëvjeçare nuk ka qenë e lehtë edhe për shkak të këtij presioni sa banal aq dhe imoral që opozita e deritanishme ka manifestuar ndaj tij, veçanërisht në planin personal.

Dua të theksoj se për arsyet që përmenda në fillim të argumentit sulmet e artikuluara politikisht ndaj z. Nishani kanë qenë të pakta dhe të dobëta, gjë që ka çuar në një zhvendosje drejt përpjekjeve për degradim personal ndaj tij, përpjekje këto deri tani të pasuksesshme.

Me gjithë këtë situatë të pakëndshme me opozitën z. Nishani ka arritur të ruajë qetësinë e sidomos ekuilibrat, duke u përqendruar te thelbi: të bëjë vetëm e detyrës së Presidentit të Republikës. Duhet theksuar se në asnjë rast edhe kritikët më të zjarrtë të tij nuk kanë sjellë ndonjë provë apo argument që mund të vërtetojë ndonjë shkelje, devijim apo mospër mbushje të detyrës kushtetuese nga ana e tij.

Sigurisht që ka pasur kontestime të vendimeve e veprimeve të tij, por ato janë motivuar më së shumti politikisht dhe për shkak të konfliktit të interesave të autorëve të tyre me dekretet apo propozimet e tij. Ky vit i parë i presidencës “Nishani” ka qenë i qetë për shkak të marrëdhënieve të tij të mira me shumicën e vajtje që e zgjodhi dhe sigurisht e mbështeti duke i dhënë mundësi optimale në kryerjen e detyrës së kreut të shtetit.

Duhet thënë se me gjithë marrëdhëniet e mira z. Nishani nuk u përzje politikisht, ndërkohë që për sa i përket pjesës së tij e mbajti presidencën të baraslarguar nga kampet politike. Distanca e krijuar me të majtën e z. Rama ishte tërësisht pjesë e vullnetit politik të këtij të fundit, që mund të merret edhe si taktikë politike e elektorale, po të kemi parasysh se menjëherë pas zgjedhjeve personi i parë i kontaktuar nga lidershipi socialist ishte pikërisht Presidenti Nishani.

Por besoj se kjo pjesë e mbetur e presidencës së tij nuk do të jetë kaq e qetë, nëse z. Rama do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e manifestuar në opozitë ndaj kreut të shtetit. Sigurisht që mbarëvajtja e punës së Presidentit është shumë e lidhur me Kuvendin dhe qeverinë dhe një konflikt apo marrëdhënie e prishur midis tyre përbën një problem real për të gjithë.

Nuk e di se si do ta zgjidhë z. Nishani një situatë të mundshme konfliktuale me mazhorancën e majtë, por unë mendoj se qëndrimi deri tani brenda kornizës së detyrës së Presidentit të Republikës do të jetë e përballja me e mirë. Në këtë periudhë transitore të ndërrimit të pushtetit politik z. Nishani ka dëshmuar se ka ndër mend të bëjë presidentin pavarësisht nëse në qeveri është Berisha apo Rama.

Fakti që ai u kërkoi institucioneve të pavarura të mos bien pre e presionit politik në këtë periudhë histerie e revanshi politik të manifestuar nga e majta ende pa e marrë zyrtarisht pushtetin është një sinjal domethënës se z. Nishani nuk ka ndër mend të heqë dorë nga detyra e tij si gardian i kushtetutës dhe i shtetit ligjor.

Si përfundim dua të theksoj edhe një herë faktin se për një vit në krye të shtetit z. Nishani ishte presidenti që ka tentuar dhe ka bërë vetëm presidentin. Se si do zhvillohen ngjarjet në kushtet e një pushteti politik me një lidership pothuaj armiqësor ndaj tij jo vetëm si president, por me sa duket edhe si njeri është pothuaj e pamundur të parashikohet. Gjithsesi, z. Nishani e ka treguar një herë se mund ta bëjë presidentin duke i bërë ballë joshjes dhe lidhjeve personale e politike me mazhorancën e djathtë, gjë që ka të gjitha shanset ta manifestojë e ta bëjë në të njëjtën masë e mënyrë edhe në kushtet e armiqësisë së deklaruar nga mazhoranca e majtë.

Pavarësisht besimit tim te personi i presidentit, le të presim për të parë se çfarë do të ndodhë me kolltukun më të lartë të shtetit shqiptar.