Bujar Bukoshi, kandidat për kryetar të LDK-së
Kuvendi zgjedhor i LDK-së do të mbahet më 23 dhjetor të këtij viti, ditën kur edhe festohet datëlindja e kësaj partie- raporton Klan Kosova. Për këtë gjë, është folur të premten në takimin e kryesisë me kryetarët e degëve, ndërsa merret vesh se gara për zgjedhjet në LDK do të nisë me 10 shtator.
Pjesë e luftës për të parin e partisë do të jetë edhe ministri aktual i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi. Sipas burimeve të televizionit, ai, bashkë me një grup jo të vogël të njerëzve me ndikim në LDK ka shfaqur gatishmërinë të kandidojë për postin kryetarit dhe këtë ia ka bërë me dije edhe Fatmir Sejdiut, që mban të ngrirë postin e të parit në këtë parti.
Në anën tjetër, merret vesh se grupi i afërm me presidentin, po përgatit një strategji tjetër, pasi që nuk e shohin si serioze kandidaturën e Bukoshit, ndonëse e vlerësojnë si punë e demokracisë së brendshme futjen e tij dhe të tjerëve në garë.
Ndryshe, burimet e Klan Kosova thonë se Sejdiu ka propozuar 50 emra të rinj e të njohur për publikun, për t’i kooptuar në strukturat e larta të partisë, në mënyrë që ata të hyjnë në garën për funksione në këtë subjekt politik.