Braçe: Imami armatosi SHIU-n

Braçe: Imami armatosi SHIU-n

Partia Socialiste akuzoi ministrin e Mbrojtjes Arben Imami se nëpërmjet dy urdhrave dhe një autorizimi, që mbajnë firmën e tij ka autorizuar blerjen e armëve dhe pajisjeve për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë.

Fillimisht deputeti Braçe ka sqaruar momentin kur janë blerë këto pajisje ushtarake.

“Secili prej jush, por edhe çdo shqiptar i interesuar mban mend nje deshmi te Kryeministrit Sali Berisha fill pas 21 janarit permbajtja e se ciles ishte kjo:“I vetmi sherbim qe informoi mbi mundesine e sulmeve te dhunshme ndaj Qeverise ne 21 janar ishte Sherbimi Informativ i Ushtrise”.Kjo deklarate shpjegon qarte se perse para dhe pas 21 janarit, Sali Berisha, Arben Imami drejtperdrejt kane vendosur dhe realizuar armatosjen e SHIU-t pertej misionit, funksionit, detyres, armatimit te percaktuar teresisht me ligj.Edhe kjo çeshtje i ka te dyja anet, anen e perdorimit te parave publike per te armatosur ne kundershtim me ligjin nje sherbim informativ; anen e shkeljes se çdo procedure ligjore per te blere pa gare e konkurrim qe mund t’i vinte kufij shpenzimeve pa hesap të këtij takëmi qeveritar”, tha Braçe.

Duke iu referuar dokumentave zyrtare deputeti Braçe, në mënyrë të detajuar tregoi llojin e armatimeve dhe pajisjeve përgjuese të blera nga Ministria e Mbrojtjes per t’u perdorur nga Sherbimi Sekret Ushtarak. Sipas zotit Braçe krahas anës antikushteteuse të këtyre blerjeve, ato shoqërohen edhe me shkelje proceduriale.

“Shihni datat e urdherave, per 4 muaj e gjysme nga urdheri i pare i ministrit Imami nuk ishte blere gje; brenda nje dite, 19 janarit 2011, 2 ditë para 21 janarit ndryshohet urdheri dhe urdherohet te blihen menjehere pajisjet.Shihni datat e urdherit te dyte dhe autorizimit te ministrit Imami, jane te se njejtes dite, 19 janar 2011; pra brenda dites urdherohet dhe autorizohet te blihet ne 3 kompani nominale, madje dhe me çmim te fiksuar nga ministri 2 dite para 21 janarit per te blere me cdo kusht dhe me cdo cmim. E gjithe sasia e blere eshte realizuar pa plotesuar kerkesat e ligjit, te pakten ne rastin e pajisjeve xheniere dhe speciale nuk ka license nga AKSHE. Armatosja e SHIU-t me automatike dhe snajpera eshte ne kundershtim me ligjin, misionin, detyrat dhe armatimin e sanksionuar ligjerisht per SHIU-n, mbledhje dhe analizim i informacioneve, jo veprime operacionale luftarake”, tha Braçe.

Sipas Erjon Braces këto fakte janë motivi përse Arben Imami e ka kthyer siç theksoi ai Ministrinë e Mbrojtjes në një bunker per kontrollin kushtetues te veprimtarise se saj, duke iu referuar moslejimit të kërkuar të inspektimit nga anëtarët socialistë në komisionin parlamentar të sigurisë.

Pas akuzave që iu bënë nga ana e deputetit socialist Erjon Braçe ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.

Akuzat, reagon Imami

“Blerja e pajisjeve në fjalë është bërë mbi bazën e legjislacionit për blerjen e mallrave ushtarake. Lidhur me datën e kësaj blerjeje, ministri i Mbrojtjes e ka firmosur procedurën e nisjes së blerjes me 19 janar, pas kërkesave operacionale të SHIU-t që datojnë shumë më herët, ndërsa blerja sigurisht që është bërë më vonë”, tha Imami.

Sipas tij, ‘vetëm ata që e dinë se çfarë do të ndodhte dhe që e organizuan 21 janarin mund të përgjigjen për këtë datë dhe ata nuk janë këtu, por janë në Partinë Socialiste’.

“Partia Socialiste nuk ka përse të trembet. Eshtë qesharake, sepse Ministria e Mbrojtjes nuk është ajo e Beqir Ballukut, që do të rrethonte Komitetin e Partisë së Tiranës, ku sot ndodhet Komiteti Qendror i Partisë Socialiste nga ku shpërtheu me zemërim zoti Braçe, por në fakt Partia Socialiste është e këshillueshme të shqetësohej mes seriozitetin dhe me konfidencialitetin e nevojshëm për pajisjen sa më të mirë të Shërbimit tonë të Inteligjencës së Ushtrisë”, tha Imami.